Bota

Hindutë rrahin për vdekje muslimanët me dyshimin se kishin vjedhur lopën

Dy burra muslimanë u rrahën për vdekje me shkopinj nga fshatarët hindu në Nagaon, në shtetin e Assamit të Indisë. Fshatarët pohuan se dy burrat ishin hajdutë bagëtish.

Policia zbuloi Ebu Hanifën dhe Riyazuddin Aliun, të dy në fillim të njëzetave, të lënduar rëndë. “Kur ne i çuam në spital natën, ata u ishin dorëzuar lëndimeve të tyre”, tha për agjencinë AFP inspektori Debaraj Upadhyay.

Policia ka bërë dy arrestime dhe po shqyrton incidentin.

Ekzistojnë video që tregojnë viktimat që u sulmuan nga një turmë e madhe, të cilët i goditën me egërsi. “Kishte një grumbull të madh”, tha banori i Nagaonit, Abdul Jabbar për Benar News. “Unë dola nga shtëpia dhe pashë dhjetëra fshatarë që po ndiqnin dy burra, që në fund i kapën dhe i rrahën pa mëshirë”.

Ky është vetëm një nga një varg incidentesh të lidhura me lopët. Lopët janë krijesa të shenjta në hinduizëm dhe therja e tyre është e paligjshme në shumë shtete indiane, duke përfshirë Assamin.

Ka madje edhe “vigjilentë të lopëve” të cilët sulmojnë të dyshuarit për pjesëmarrje në therjen e kafshëve. Upadhyay mohoi përfshirjen e ndonjë vëzhguesi në incidentin e fundit.

Në prill, një musliman në Raxhastani u rrah për vdekje nga një turmë prej 200 personash, pasi zbuluan lopë në kamionin e tij. U zbulua më vonë se burri ishte një fermer blegtoral dhe lopët ishin për mjelje.

Policia e Raxhastanit u kritikua për arrestimin e muslimanëve për shkelje të dyshuar të ligjeve të lejimit të lopëve, në vend që të arrestonte ‘vigjilentët’.

Të paktën 10 burra të tjerë muslimanë janë vrarë nën akuzat për therje ose ngrënie të lopëve që nga viti 2015.

Human Rights Watch fajëson për këto incidente kryeministrin Narendra Modi dhe partinë e tij Hindu-nacionaliste Bharatiya Janata (BJP). Modi i dënoi me forcë këto incidente në vitin 2016.

Lidhur me incidentin e Nagaonit, deputeti i Assamit dhe anëtari i BJP-së, RP Sharma, tha: “Emërtimi i njerëzve si hajdutë kafshësh dhe [vrasja] e tyre është krejtësisht e papranueshme. Një hetim i hollësishëm do të kryhet dhe kushdo që shpallet fajtor do të dënohet”.

Organizata muslimane me bazë në Assam, Fronti Demokratik i Bashkuar i Indisë bëri thirrje për “një hetim të pavarur gjyqësor ndaj incidentit të së dielës. Kohët e fundit, dhuna ndaj muslimanëve në shtet është rritur, dhe vetëm një hetim i paanshëm do të sigurojë që fajtorët të dënohen”. / © Gazeta Impakt