Bota

Histeri amerikane: Uashingtoni dëbon 15 diplomatë kubanë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dëbuar 15 diplomatë kubanë, me justifikimin se Havana ka dështuar të mbrojë diplomatët amerikanë nga sulmet e mistershme akustike. Personelit diplomatik kuban i është dhënë 7 ditë kohë për t’u larguar nga Amerika.

Lëvizja e Departamentit amerikan të Shtetit vjen pas tërheqjes nga Amerika javën e kaluar të mbi gjysmës së stafit të saj diplomatik nga kryeqyteti kuban. Mbi 20 persona të stafit amerikan pësuan probleme shëndetësore pas sulmeve të pashpjegueshme në Havana.

“Vendimi është marrë për shkak të dështimit nga Kuba për të ndërmarrë hapat e nevojshëm dhe të përshtatshëm për të mbrojtur diplomatët tanë, në përputhje me detyrimet që i lindin si pasojë e Konventës së Vjenës. Ky urdhër do të sigurojë barazi në operacionet tona respektive diplomatike”, tha Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, në një deklaratë të së martës.

Të paktën 21 persona që punonin në Ambasadën e SHBA-ve në Kuba pësuan probleme shëndetësore, që varionin nga traumat e lehta në tru e deri në humbje të dëgjimit, apo marrje mendsh e deri në të përziera.

Raportet paraprake njoftonin se shkak i këtyre simptomave ishin sulmet akustike mbi nivelin e pranueshëm nga qenia njerëzore, por deri më tani nuk është provuar asgjë konkrete. Kuba mohon të ketë pasur në shënjestër stafin e Ambasadës amerikane, sikurse edhe SHBA-të nuk e kanë fajësuar zyrtarisht qeverinë kubane për sulmet e dyshuara. 

I gjithe incidenti diplomatik duke me shume si nje histeri amerikane, e cila sheh konspiraci pas cdo veprimi te Kubes komuniste. / Top Channel 
Etiketa