“Historia e njohjes së Kosovës, s’është planifikim socialist për vjeljen e duhanit”, Fuga: Linja hekurudhore Nish-Durrës, elementi kyç në marrëveshje

Akademiku Artan Fuga iu është bashkuar reagimeve që prodhoi marrëveshja e djeshme e lidhur mes qeverisë kosovare dhe asaj serbe, nën prezencën e presidentit Donald Trump.

Përmes një analize në ‘Facebook’ Fuga theksoi se elementi më kyç i kësaj marrëveshje ishte perspektiva e një lidhjeje hekurudhore Nish-Durrës. Sipas Fugës, kjo marrëveshje do të kishte rëndësi ekonomike, territoriale, gjeopolitike, gjeostrategjike, turistike, kulturore.

Po ashtu ai theksoi se; “historia e njohjes të Kosovës nga Serbia është tjetër çështje fare. Këtë e përcaktojnë aq shumë rrethana saqë mund të arsyetohet vetëm probabilisht dhe aspak sikurse arsyetojnë disa sipas planifikimit socialist pesëvjeçar për mbjelljen dhe vjeljen e duhanit.”.

MESAZHI I FUGES
Mua më duket se perspektiva e një lidhjeje hekurudhore Nish – Durrës ishte elementi më kyç në marrëveshjen e firmosur.

Nëse realizohet, kur të realizohet, sa do të realizohet ka një kuptim thelbësor për transportin e mallrave, udhëtarëve, kulturave, armëve, trupave ushtarake, makinerive, turistëve nga Evropa Qendrore në Adriatik dhe nga Durrësi në thellësi drejt Hungarisë dhe më tej !

Pra ka rëndësi ekonomike, territoriale, gjeopolitike, gjeostrategjike, turistike, kulturore!

Pastaj historia e njohjes të Kosovës nga Serbia është tjetër çështje fare. Këtë e përcaktojnë aq shumë rrethana saqë mund të arsyetohet vetëm probabilisht dhe aspak sikurse arsyetojnë disa sipas planifikimit socialist pesëvjeçar për mbjelljen dhe vjeljen e duhanit!

Shoh të rinjtë shqiptarë që në atë kohë me 50 euro në xhep do të shkojnë për të parë bashkë me klasën mrekullitë e Evropës, qytetet e vjetra gjermane, ëmbëlsinë e zonës rurale austriake, kishat dhe fshatrat hungareze, qytetet e bollshme polake, malet Karpate, të dalin në Bjellorusi në parqet pyjore madhështore natyrore, dhe do të kuptojnë sa e madhe, sa e mrekullueshme, sa tërheqëse, sa krejt tjetër nga çfarë dinë ata është Europa!
Me një çantë në krah!
Hajde t’i gënjejë njeri pastaj me pallavra propagandistike! Jo ne kështu, jo ne ashtu ! Do iu duken qytetet dhe fshatrat ku jetojnë si realitete që duhen transformuar nga e para!/BW

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne