Historia e populizmit të ri, nga grekët e lashtë, narodnikët rusë, deri tek Donald Trumpi sot

Çfarë është populizmi? Përgjigjja, ndryshon në varësi se kujt i drejtohet pyetja, një historiani apo një politogu, ndërsa për politikanët, në varësi të faktit nëse ata janë të kënaqur apo të fyer nga etiketimi si “populistë”.  Për historianët, populizmi lindi fillimisht në Rusi në gjysmën e dytë të shekullit XIX.

Narodnicestvo (nga termi narod “popull”), ishte një lëvizje të rinjsh, studentësh dhe intelektualësh (narodnikët), që donin të “shkonin tek populli”:ata hapën shkolla në fshatrat e Rusisë ende feudale, duke u përpjekur të përhapnin arsimimin, dhe të vetëdijësonin fshatarët se ishin të shfrytëzuar.

Populistët rusë kishin një ide romantike mbi popullin, dhe i shihnin fshatarët si një forcë e madhe revolucionare, që po priste të zgjohej dhe të përmbyste regjimin carist. Por ata e kishin gabim, sepse revolucioni u krye nga punëtorët e fabrikave, por disa prej tyre, duke menduar se po i jepnin ndihmë historisë, kaluan nga teoria në praktikë, dhe në vitin 1881 organizuan vrasjen e Carit Aleksandrit II.

Ndërkohë për politologët, populizmi është një kategori me kufij të paqartë dhe evazivë, që ndryshojnë sipas kohës dhe kontekstit, dhe mbi të cilat nuk bien të gjithë dakord. Enciklopedia e mendimit politik Laterza, e përkufizon atë në këtë mënyrë:”Qëndrimi politik i favorshëm ndaj popullit, të identifikuar tek klasat socio-ekonomike më të ulta”.

A janë njëlloj të gjithë populistët?

Në politikë, dallimet janë gjithçka. Pikërisht pse ishte i paqartë, termi populizëm mori në shekullin XX nuanca të ndryshme, të cilat u përpoqën t’i kategorizonin historianët e mendimit politik.

  1. Nacional-populizmi, është një përzierje e nacionalizmit dhe militarizmit, ku përfshihet një game e errët lëvizjesh, nga nazizmi tek fashizmi. Po kështu përfshihet edhe peronizmi i argjentinasit Huan Domingo Perón (1895-1974), që në botën e ndarë të Luftës së Ftohtë, nuk donte të ishte kapitalist apo komunist, por përfundoi duke qenë konservator dhe autoritar.
  2. Populizmi revolucionar, tenton të jetë i eksremit të majtë, por edhe autoritar dhe nacionalist. Paraardhësit e tij janë Jakobinët e Robespierit, që në Francën revolucionare shpiku terrorin dhe famëkeqet “gjykatat popullore”, ku “armiqtë e popullit” u demaskuan dhe u eleminuan. Fytyra e tij totalitare e shekullit XX ishte Stalinizmi, dhe më vonë Kastrizmi dhe “Çavizmi “, që i referohet ish-presidentit të Venezuelës, Hugo Çavez (1954-2013).
  3. Populizmi demokratik, që u shfaq në skenë vitet e fundit të shekullit XIX-të me Partinë e Popullit në SHBA, në gjirin e nacionalistëve dhe izolacionistëve në politikën e jashtme. Ajo parti e kishte bazën midis fermerëve në shtetet e mes-perëndimit, dhe armiqtë e saj tek kapitalizmi industrial dhe financiar, si dhe elitat progresive. Kur disa e etiketojnë presidentin Donald Trump dhe moton e tij “Amerika e Para”, si populiste , disa historianëve përtej detit, u shkon mendja tek “Partia e Popullit” mbi një shekull më parë.

A janë populistët anti-demokratë?

Nëse populizmi bazohet mbi vullnetin e popullit, pse shumë njerëz shqetësohen për përparimin e tij? Tek e fundit, a nuk është demokracia “qeverisja e popullit”? Kjo ndodh për shkak se populizmi, siç e tregon historia e shekullit XX-të, më shumë se sa demokratik, është plebishitar.

Demokracia moderne, është përfaqësuese:kërkon që sovranitetin ta ushtrojë populli, por përmes përfaqësuesve të zgjedhur në parlament. Është demokracia e “vjetër” liberale, ajo që ka lindur për të mbajtur nën vëzhgim edhe opozitën. Por nëse ka diçka që bashkonte populizmin e shekullit XX, ajo ishte pikërisht alergjia ndaj demokracisë liberale, e konsideruar si një shprehje tipike e elitës.

Në fakt, populizmi, tenton të shkojë drejt “diktaturës së shumicës”:ideali i tij, është demokracia e drejtpërdrejtë , që e shpreh pa ndërmjetësim vullnetin popullor. Pak a shumë si në Athinën e lashtë, thonë populistët e sotëm, vetëm se në vend të asambleve të mëdha popullore, përmes internetit apo referendumeve.

A funksiononin kështu gjërat edhe në Greqinë e lashtë? Jo tamam…

Eklesia (asambleja greke), që mblidhej në agora në kohën e Perikliut (shekulli V Para Krishtit), nuk i përfaqësonte të gjithë athinasit, por vetëm qytetarët e lirë dhe meshkujt:40.000 njerëz, nga një popullsi e përgjithshme prej 300.000 banorësh.

Dhe vetëm 6.000 nga 40.000, gati të gjithë aristokratë, merrnin pjesë në asamble:një koncept disi “i kufizuar” njerëzish. Megjithatë, është e vërtetë se Perikliu mishëronte modelin e demagogut , udhëheqësit tipik populist të kohëve të sotme:”udhëheqësit”(agogos në greqishten e vjetër) të popullit (demos).

Aristoteli e konsideronte demagogun, si shkakun e të gjitha sëmundjeve, pikërisht sepse imponoi hegjemoninë e klasave popullore, në dëm të përbërësve të tjerë të shoqërisë. Që nga antikiteti e në vazhdim, lista e demagogëve që janë ngjitur në pushtet duke u mbështetur tek pakënaqësia ndaj elitës, është e gjatë.

Çfarë lidhje ka epoka e pas të vërtetës

Për të marrë dhe ruajtur pushtetin, politika ka përdorur gjithmonë mjetet e propagandës. Perikliu përdorte gjerësisht fondet publike për të fituar mbështetje, zbukuruar Athinën, dhe financuar shfaqjet teatriale që lartësonin vlerat athinase:falë propagandës së tij prej ”mermeri”, kemi sot Partenonin.

Ju Çesari dhe Napoleon Bonaparti, ishin mjeshtra të ndërtimit të konsensusit rreth figurave të tyre, ndërsa totalitarizmi i shekullit XX-të, e shdërroi propagandën një makineri konsensusi, të bazuar tek censura dhe kontrolli i informacionit. Një nga elementët kryesorë të populizmit, është pikërisht ideja që elita kontrollon informacionin, për t’i mbajtur njerëzit injorantë, dhe për t’i dominuar ata më mirë.

Në këtë ide, baziohet retorika e Trump mbi “fake neës”:”Mos e besoni CNN, ai ju thotë vetëm gënjeshtra”- shkruan ai në rrjetet sociale. Populisti i shekullit XXI1-të, nuk përdor mjetet e informacionit, duke u bazuar në verifikimin e të dhënave dhe tek krahasimi midis burimeve, por mjetet e pas së vërtetës:lajme që janë qartësisht të rreme apo të besueshme, që nuk janë të verifikuara, edhe nëse kjo mund të bëhej kollaj.

Këto janë pseudo-lajme që konfirmojnë paragjykimet, përforcojnë frikën, dhe nxisin paragjykimet. Sipas një studimi të botuar në revistën “Nature” në vitin 2016, nga Adam Kuçarski, një epidemiolog në Shkollën e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale në Londër, lajmi i rremë përhapet në internet, sipas modeleve të krahasueshme me ato të epidemive.

Ashtu si evoluon një sëmundje, dhe mund të modifikohet brenda një popullate, në të njëjtën mënyrë forcohet ose dobësohet edhe pseudo-lajmi, në varësi nga konteksti në të cilin gjendet. Është bota paralele e pas së vërtetës:një botë ku çuarja e mesazhit tek marrësi i duhur, ka më shumë rëndësi sesa çuarja e mesazhit të duhur./focusstoria/bota

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne