Hollanda përgjegjëse për vdekjen e muslimanëve në Srebrenicë?

Një gjykatë hollandeze e apelit konfirmoi të martën se Hollanda ka qenë pjesërisht përgjegjëse për vdekjen e rreth 300 meshkujve muslimanë të cilët u dëbuan nga një bazë hollandeze e OKB-së pasi zona përreth u mor nga trupat serbo-boshnjake.

Vendimi i së martës është i fundit në një varg rastesh ligjore në Hollandë lidhur me rolin e vendit në masakrën e Srebrenicës, dhe nëse ushtarët e vendit mund ose duhet të kishin bërë më shumë për të parandaluar vrasjet masive.

Vendimi i Gjykatës së Apelit të Hagës mbështet një vendim të vitit 2014 që paqeruajtësit hollandezë duhet ta kishin ditur se burrat që kërkonin strehim në bazën pranë Srebrenicës do të vriteshin nga trupat serbe të Bosnjës nëse do të detyroheshin të largoheshin – ashtu siç ndodhi.

Duke lexuar vendimin e ndërlikuar, kryetari i trupit gjykues, Gepke Dulek-Schermers tha se ushtarët hollandezë “e dinin ose duhet ta kishin ditur se burrat nuk ishin thjeshtë të shënjestruar… por ishin në rrezik të vërtetë për t’iu nënshtruar torturës apo ekzekutimit”. Vendimi ka të bëjë vetëm me 300 burra që kishin kërkuar siguri në bazën e kontrolluar nga hollandezët.

Në një largim nga vendimi i mëparshëm, ai tha se Hollanda duhet të paguajë vetëm 30 për qind të dëmeve, pasi vlerësoi deri në 70 për qind shanset që viktimat do të tërhiqeshin nga baza dhe do të vriteshin pavarësisht nga ato që do bënin ushtarët hollandezë.

Shuma e dëmeve përcaktohet në një proçedurë të veçantë, përveç nëse viktimat dhe shteti arrijnë një zgjidhje.

Avokatët shtetërorë hollandezë u larguan nga ndërtesa e gjykatës pa e komentuar vendimin. Qeveria hollandeze u dorëzua në vitin 2002 pasi njohu dështimin e saj për të mbrojtur refugjatët, ndonëse Hollanda pohon se serbët e Bosnjës, jo trupat hollandeze, mbajnë përgjegjësinë për vrasjet.

Më 13 korrik 1995, paqeruajtësit hollandezë u vunë nën presion nga forcat serbo-boshnjake të komanduara nga Ratko Mlladiç, dhe përzunë mijëra muslimanë nga kompleksi i tyre i rrethuar, ku ata kishin kërkuar strehim.

Forcat serbo-boshnjake i renditën muslimanët sipas gjinisë, pastaj i larguan meshkujt dhe filluan t’i vrasin ata në atë që do të bëhej kulmi i përgjakshëm i luftës së Bosnjës 1992-1995, një masakër që gjykatat ndërkombëtare e kanë quajtur gjenocid. Lufta mori gjithësej 100,000 jetë.

Trupat e Srebrenicës u futën në varre masive të bëra me nxitim, të cilat më vonë u shkatërruan me buldozierë dhe u shpërndanë në mesin e vendeve të tjera të varrimit, në një përpjekje për të fshehur provat. Mlladiç është në gjyq për gjenocid dhe krime të tjera në një gjykatë të OKB-së në Hagë për rolin e tij të dyshuar në masakrën e Srebrenicës dhe krime të tjera gjatë luftës.

Gjykata hodhi poshtë një apel nga të afërmit e viktimave të tjera të Srebrenicës, të cilët argumentuan se qeveria hollandeze duhet të mbetej përgjegjëse për mbrojtjen e mijëra muslimanëve që ishin mbledhur jashtë bazës.

“Kjo është një padrejtësi e madhe”, tha Munira Subasic nga grupi “Nënat e Srebrenicës”. “Shteti hollandez duhet të marrë përgjegjësinë e vet për viktimat tona, sepse ata mund t’i mbanin të gjithë të sigurt në kompleksin e batalioneve hollandeze”. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne