Hoti: Hapja e shkollave në Kosovë varet nga situata epidemiologjike

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklaruar se po përgatitet një udhëzues për organizimin e vitit të ri shkollor, për hartimin e të cilit po studiohen edhe përvojat e vendeve të tjera.

Me anë të një statusi në rrjetet sociale, Hoti shkruan se vendimi final do të ndikohet nga gjendja epidemiologjike duke theksuar se në procesin e vendimmarrjes do të përfshihen komunat.

“Në përputhje me vendimin e Qeverisë të datës 28 korrik 2020, MASH dhe IKSHP po përgatisin udhëzuesin për mënyrën e organizimit të vitit të ri shkollor nga 1 shtatori. Po studiohen përvojat e vendeve të tjera.

Sigurisht se vendimi final për hapjen e shkollave do të ndikohet nga gjendja epidemiologjike. Në procesin e vendimmarrjes do të përfshihen plotësisht komunat, të cilat do të kenë përgjegjësi që të zbatojnë udhëzimet.

Gjatë javës që vjen, do të jemi në kontakt me kryetarët e komunave dhe drejtorët për arsim për të diskutuar modalitetet e mundshme të fillimit të vitit shkollor.

Jemi duke shqyrtuar edhe platformat e ndryshme të ndihmesës për stafin mësimdhënës dhe nxënësit, sidomos në organizimin më të mirë të punës praktike në arsimin e mesëm profesional”, shkruan Hoti./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne