Hovi i fashizmit në Maqedoni dhe pasardhësit që (nuk) ka lënë Adem Demaçi

Nga Xhuliano Bregasi

Adem Demaçi, shkrimtari, intelektuali dhe veprimtari i shquar politik nga Kosova, u lirua nga burgu politik 28-vjeçar në vitin 1990, në një kohë kur shpërbërja e ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ishte në prag dhe situata për shqiptarët aty, veçanërisht në Kosovë, ishte duke u bërë gjithmonë e më dramatike. Lirimi i Demaçit mbase ishte ndër të paktat gjëra pozitive. Por figura më frymëzuese, më përbashkuese, më emblematike e më përfaqësuese e rezistencës dhe përpjekjes çlirimtare nga politikat shoviniste kundër shqiptarëve nën ish-RSFJ do t’i “zhgënjente” këta të fundit duke bërë shpesh cilësime të tipit “populli vëlla serb” apo “populli heroik serb”. Përkundër habisë dhe njëfarë zhgënjimi të momentit që mund të kishte ndër shqiptarë, qëndrimi i Demaçit ishte i drejtë parimisht dhe i zgjuar taktikisht. I drejtë sepse politikat shoviniste e shtypëse ndaj shqiptarëve nuk bëheshin prej popullit serb, por prej drejtuesve nacionalistë e shovinistë serbë; dhe i zgjuar sepse duke parë pamundësinë praktike për t’iu përgjigjur shtypjes me forcë, tentohej të fitohej solidaritet prej pjesës përparimtare të popullit serb, ose të paktën të mos shpallej armik gjithë populli. E të mendosh që ky qëndrim i Demaçit ishte në një kohë kur jo vetëm nuk kishte asnjë drejtues serb të ish-RSFJ që përpiqej të bashkëpunonte e të ndihmonte shqiptarët, por ishin në garë se kush ishte më i devotshëm në shtypjen e tyre.
Sot, 27 vite më pas, një pjesë që e kanë idhull dhe frymëzim Demaçin (i cili e meriton që ç’ke me të!) jo vetëm që nuk kanë lidhje me qëndrimin korrekt dhe vizionar të tij më 1990-n, por mendojnë sikur të jemi 20 vite para lindjes së tij. Në vend se të dënohet fashizmi që ka marrë hov në Maqedoni, kundër shqiptarëve e maqedonasve bashkë, tentohet që të identifikohet me domosdo si shovinizëm vetëm ndaj shqiptarëve të Maqedonisë. Në vend se të përgëzohet nisma dhe qëndrimi i drejtë i një partie maqedonase për të bashkëpunuar e bashkëqeverisur me partitë shqiptare aty, duket sikur ka një përpjekje për ta hedhur me domosdo edhe LSDM-në në krahun e qarqeve fashiste e shoviniste. Në vend se t’u kërkohet llogari e të vihen para përgjegjësisë politikanët shqiptarë kudo ku jetojnë këta të fundit, që nuk kanë lënë gjë pa na bërë e që nuk kanë asnjë pikë dallimi nga një maskara i pashoq si Gruevski, syzet e nacionalizmit shohin si armik popullin maqedonas. Në vend se të akuzohen e dënohen 200 huliganët fashistë të Gruevskit që hynë e rrahën deputetët (shqiptarë e maqedonas) në parlament, barazohet me ta në mënyrë krejt arbitrare gjithë populli maqedonas.
Nëse biem për një moment në një nivel kaq naiv, gati qesharak dhe aspak përparimtar, le të bëjmë disa pyetje po kaq naive:
Nëse fajin për gjendjen e shqiptarëve në Maqedoni e paska “populli shovinist maqedonas”, i çfarë kombësie është Ali Ahmeti, i cili për shumë vite ka mbajtur në këmbë qeverinë e Gruevskit, ndër më të ashprat ndaj shqiptarëve që jetojnë aty?!
Nëse fajin për gjendjen e shqiptarëve në Maqedoni e paska “populli shovinist maqedonas”, po për gjendjen e mjerë të shqiptarëve në Shqipëri e Kosovë kush dreqin e ka, cili armik i një kombësie tjetër?!
Ëndrrat me bashkime kombëtare, e sidomos rendja e sëmurë pas tyre, jo vetëm që nuk ka tendencë që ta përmirësojë gjendjen e shqiptarëve, në Maqedoni a kudoqofshin, por rrezikon që si kundërpeshë e grupimeve shoviniste maqedonase të lindin edhe të tilla shqiptare. Në vend se të qajmë për rrahjen e shqiptarit Ziadin Sela, duhet të “gëzohemi” që bashkë me të u rrah edhe maqedonasi Zaev, e mbi të gjitha që qëndruan bashkë ndaj huliganëve. Vetëm duke e ndjerë në kurriz dajakun e fashistëve, shqiptarët dhe maqedonasit do e kuptojnë që problemi nuk janë njëri-tjetri, po pikërisht fashizmi e shovinizmi i çdollojshëm. Në vend se të shohim me syzet e nacionalizmit projektimin e Gruevskit te çdo maqedonas i thjeshtë, duhet të shohim me syzet e arsyes Gruevskët që kemi në pushtet në Shqipëri e Kosovë e ç’nuk po na bëjnë. Në vend se të kërkojmë medoemos dallime, mund të gjejmë më së shumti pika takimi, sidomos me popullin e thjeshtë maqedonas, me të cilët ndajmë bashkërisht Gruevskët, shtypësit e shfrytëzuesit e gjithfarëllojshëm, të cilët veç forcohen ndërkohë të nëpërkëmburit andej e këndej përçahen për hiçmosgjë.
Për ta mbyllur me Demaçin: nuk mjafton fotoja e tij në mur a në xhep, as rrëfimi i historisë së tij frymëzuese, por mbi të gjitha mendimi i tij përparimtar, vizionar e përbashkues përkundër çdolloj shovinizmi.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne