Humbja e Tsipras/Hakmarrja e ftohtë e vëllait armik Varufakis

 

 

Ndërkohë që kryeministri grek Aleksis Tsipras përjetoi këtë të dielë ditën e vet më të keqe, gjashtë vjet pas ardhjes në pushtet, duke humbur zgjedhet e parakohshme (Demokracia e Re ka fituar 39,77% dhe 158 vende në parlament ndërsa SYRIZA 31,43% dhe 86 vende), ish miku i tij i ditëve të vështira, Yanis Varoufakis, po përjeton një tevansh të vërtetë duke u futur me partinë e tij të vogël për herë të parë në parlament. MERA25 e ish ministrit problematik të financave arriti të kapërcejë pragun duke marrë 3,39% (9 vende).

 

Sfida mes Alexis Tsipras dhe Kyriakos Mitsotakis nuk është e vetmja përplasje titanike nesër në Greqi. Skenari i votimit ka edhe një tjetër tragjedi politike tejet të fortë: përplasjen finale mes kryeministrit dhe Yanis Varoufakis, dy meshkujt alfa të së majtës greke. Dikur miq, Alexis Tsipras dhe Yanis Varoufakis, patën gjatë fushatës një përshkallëzim akuzash reciproke që me sa duket i dhuruan qendrës së djathtë të Dea Demokratia të ardhmen e vendit. Siç raportonte ditën e fundit të fushatës gazeta italiane La Republica e përkthyer në shqip nga Bota.al, Syriza dhe Mera 25 kanë zhvilluar dy mitingjet përfundimtare të fushatës elektorale në të njëjtën orë, 300 metra nga njëra-tjetra. Tsiprasi në Syntagma dhe Varoufakisi pak më tutje, në krah të Propilei.

 

Thikën në plagë e ka rregulluar pasdite në Tuiter lideri i Mera 25 që, ka sintetizuar në vetëm 280 gërma, zanafillën e kësaj sfide: “Ekzaktësisht katër vjet më parë, 61% e grekëve i thanë JO programit të kursimit me një referendum, dhe një ditë më pas u tradhëtuan nga Tsipras. Nga e diela, “JO”-ja do të rikthehet të përfaqësohet në Parlament”.

 

Marrëdhëniet mes të dyve, rrëfejnë ata që i njohin mirë, kanë shkuar në pikën zero pikërisht që nga mbrëmja e referendumit të 5 korrikut. Atëherë çifti që po bënte të dridhej Evropën, duke kundërvënë si Davidi kundër Goliathit recetave të Trojkës (me një kosto shumë të lartë për vendin), ndau dy rrugët: Tsiprasi në Bruksel për të firmosur memorandumin e tretë, për të shmangur shembjen e Greqisë dhe daljen e saj nga Euro.

 

Varoufakisi, teoricien i përplasjes finale kundër BE, në shtëpi. I dëbuar – me kërkesë unanime të të gjithë kredidhënësve – nga qeveria, për t’u kthyer si profesor i ekonomisë në Universitetin e Athinës.

 

Prej atëherë marrëdhëniet ngrinë. Tsiprasi nuk ka folur më kurrë për ish Ministrin e Financave. Ky i fundit ka goditur lart e poshtë Evropën dhe “kryeministrin që ktheu pllakën”, në disa libra si dhe në një turne konferencash prej rock star-i, që ka zhvilluar nëpër Kontinentin e Vjetër.

 

Dega e ndrojtur e ullirit që ofroi Syriza disa muaj më parë – kur bindi në mënyrë “spontane” Komisionin grek të filmit për të sponsorizuar filmin e Costa Gavras “Të rritur në dhomë”, i bazuar në librin e Varoufakisit – nuk u mirëprit.

 

Ish Ministri motoçiklist e ka kaluar fushatën elektorale duke goditur Syriza-n nga e majta: “Nëse vazhdojmë të zbatojmë marrëveshjet e firmosura nga Tsipras – ka thënë ai – Greqia e të ardhmes do të jetë një vend pa të rinj, sepse të gjithë do të kenë emigruar jashtë”. Duke e lënë vendin pa opozitë reale. “Çfarë do t’i thotë Tsiprasi Mitsotakisit, kur nga e hëna do të jetë në opozitë? Do e akuzojë se po zbaton po atë recetë, që ai vetë i imponoi vendit”, thotë politikani ekonomist.

 

Rivali i tij deri më sot i ka injoruar akuzat, duke u kufizuar me lëshimin e thirrjeve për votën e nevojshme. Por tek Syriza janë të shqetësuar. Mera 25 mori në zgjedhjet evropiane 2.99%, vetëm një hap larg pragut që e shpinte në Parlament.

 

“Por mediat na bojkotuan dhe vetëm 38% e grekëve kishin dijeni për ekzistencën tonë”, akuzon Varoufakis. Apeli për votën e dobishme? “Një idiotësi – minimizon ish Ministri i Financave. Tsiprasi do të humbasë në çdo rast, sepse zgjedhësit ndëshkojnë ata që zbatojnë masat shtrënguese të kursimit”. Dhe tund programin e tij “të fortë dhe të pastër”, i përbërë nga një “vetëreduktim” i tepricave të imponuara prej kredidhënësve dhe ndalim të privatizimeve. Natyrisht pa “dakordësuar asgjë me BE, e cila nuk do të bënte asgjë sepse një Gexit do i kushtonte mijëra miliarada”.

 

Me sa duket Varufakis ka pasur të drejtë, duke u angazhuar në një nga ato përplasje titanike që mund të hyjë në arkiva me bilancin klasik të këtyre betejave të së majtës: humbjen e të gjithë protagonistëve./lapsi

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne