Hungaria dekoratë të meritës kryetarit të TIKA-s për aktivitetet në Hungari

Qeveria e Hungarisë ka ndarë dekoratë merite për kryetarin e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), Serdar Çam, për punët e kësaj agjencie për zhvillim dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore në Hungari.

Dekorata e meritës, të cilën qeveria hungareze e ndan për persona që kanë kontribuuar për Hungarinë dhe kulturën Hungareze, me në krye sfera e artit dhe shkencës, iu nda kryetarit të TIKA-s Serdar Çam në një ceremoni që u organizua në Ambasadën e Hungarisë në Ankara. Në ceremoni morën pjesë kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, zëvendëskryeministri i Turqisë, Veysi Kaynak, kryetari i Departamentit të TIKA-s për Ballkanin dhe Evropën Lindore, Mahmut Çevik dhe shumë të ftuar të tjerë.

Kryeministri hungarez Orban në fjalën e tij në ceremoni shprehu lëvdata për punën e kreut të TIKA-s që nga fillimi i vitit 2011. “Nëse nuk e ruajmë trashëgiminë kulturore, nëse nuk e nxjerrim në pah dhe nuk ua përçojmë brezave të ardhshëm, atëherë ne e bëjmë veten më të dobët dhe më të varfër”, tha Orban, duke shtuar se TIKA ka realizuar shumë punime të mëdha në Hungari. Ai theksoi se falë përpjekjeve të TIKA-s tani është e mundur të arrihet sukses në hulumtimin e varrit të Sulltan Sulejmanit dhe gjetjen e vendit të tij, duke thënë më tej se në saje të TIKA-s është restauruar Tyrbja Idris Baba, ndërsa së shpejti pritet edhe restaurimi i Tyrbes Gyl Baba.

Ndërkaq, Çam tha se do të vazhdojnë të punojnë maksimalisht për zhvillimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe për dy popujt, siç i quajti ai, vëllezër dhe miq.

Ai falënderoi qeverinë dhe popullin turk për mbështetjen që i kanë ofruar kësaj agjencie në punët e saj.

Aktivitetet e TIKA-s në Hungari

Zyra Koordinuese e TIKA-s në Hungari, që është e para e llojit të tillë në Bashkimin Evropian, që nga viti 2014, kur ka nisur me aktivitete në këtë vend, ka realizuar gjithsej 60 projekte në Hungari, në fusha si arsimi, shëndetësia, shkenca, kultura dhe restaurimet.

Nga projektet më të rëndësishme të TIKA-s në këtë vend, është projekti për gjetjen e varrit të humbur të Sulltan Sulejmanit, i cili kishte ndërruar jetë gjatë çlirimit të Kalasë së Zigetvarit, në kuadër të të cilit ende vazhdojnë punimet gërmuese.

Po ashtu, në vazhdim e sipër janë edhe punimet për restaurimin e Tyrbes Gyl Baba, që thuhet të jetë objekti më verior në Evropë i ngelur nga periudha osmane./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne