I bëri pjesë të Serbisë/ Historiani: Rama të shpallet “persona non grata” në Kosovë

Dje, për më shumë se pesë orë, në faqen zyrtare në Facebook të kryeministrit Edi Rama, qëndroi një video në të cilën proklamohej një hartë ku Kosova shfaqej si pjesë e Serbisë.

Postimi i Ramës ku tregonte për një investim për furnizim me ujë, e ku shihej edhe harta u editua pak orë më vonë, megjithatë, kryeministri i Shqipërisë, nuk e dha asnjë detaj se si kishte përfunduar e njëjta në profilin e tij.

Megjithatë, të shumta kanë qenë reagimet për këtë veprim të tij, si nga Kosova dhe nga Shqipëria.

Në një reagim për gazetën Express historiani Jusuf Buxhovi ka propozuar që Rama të shpallet “persona non grata” në Kosovë.

“Veprimi më i ri i Ramës duhet parë si pjesë e komplotit politik kundër shtetit të Kosovës për interesat serbo-ruse në rajon, që nga politika e Kosovës duhet ndalur sa më parë dhe me të gjitha mjetet pa përjashtuar mundësinë që ai të shpallet persona non grata”, ka thënë Buxhovi.

Në anën tjetër, zyrtari i LDK-së, Arben Gashi, është shprehur se edhe nëse është gabim ky skandal nuk i falet Edi Ramës.

“Nuk i falet edhe nëse është e paqëllimshme që kryeministri i Shqipërisë me bë asi gabime”, ka thënë Gashi./boldnews

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne