“I besojmë vetëm Beogradit”, Rakiç: Nuk hyjmë në koalicionin qeverisës të Kosovës

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç ka deklaruar të dielën në Beograd pas konsultimeve me Qeverinë e Serbisë së subjekti politik që ai përfaqëson është ftuar vetëm njëherë në konsultime për Qeverinë e re të Kosovës.

“Kemi mësuar nga mediat se është arritur njëfarë koalicioni dhe kemi vendosur të mos e përkrahim atë qeveri ngase i besojmë vetëm Beogradit”, ka thënë Rakiç, pas takimit me kryeministren serbe Ana Bërnabiq dhe shefin e zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Marko Gjuriç.

Ky i fundit tha se Lista Serbe do të marrë pjesë në institucionet e Kosovës, pavarësisht se nuk do ta mbështesë qeverinë. “Nuk ka kushte që Lista Serbe ta votojë qeverinë e re, por do të marrë pjesë në institucione dhe do ta përmbushë mandatin e vet”, ka thënë Gjuriç.

Lista Serbe është subjekti më i madh politik që përfaqëson komunitetin serb në Kosovë. Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë nënshkruar të dielën marrëveshjen për koalicionin e ardhshëm qeverisës në Kosovë.

Më 3 shkurt, në seancën plenare të thirrur nga i mandatuari për kryeministër, Albin Kurti, pritet të votohet për Qeverinë e ardhshme të Kosovës, të udhëhequr nga LVV-ja dhe LDK-ja./balkanweb

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne