I fryn detit që ia bëri “kos” tjetrit!

Artan Xh. Duka

Normal që pas “qullit” për detin me Greqinë në 2009, publiku do i fryjë edhe “kosit” me një marrëveshjeje të re. Por, kjo nuk do të thotë të lëshohet goja duke etiketuar e kryqëzuar këtë apo atë individ a parti, të nxitet populizëm ultimativ “vetëm mbi trupat tanë” etj, për më tepër nga një takëm i përfolur për 2009 e zhvlerësuar nga Gjykata Kushtetuese, takëm ky që dje etiketonte gazetarët dhe qytetarët dinjitozë që u hapën letrat dhe sot vijon karshillëkun e justifikimin e asaj ujdie shtyrë edhe nga pezmi që nuk i doli e tyrja dikur.

 

Ana racionale e retorikës opozitare

E megjithatë, edhe nëse reagimi i sotëm kundër qeverisë bazohet në dyshime të paarsyeshme apo është pretekst për të nëpërkëmbur reformën në drejtësi, prapë, më mirë teprim në dyshim se teprim në mirëbesim.

12 miljet detare janë terren ekspertësh dhe sa kohë gjërat nuk janë zbardhur, protestat bazuar në akuza ekstreme hipotetike, mund të shndërrohen në bumerang për organizatorët. Por protestat duhen. E sado të pavënda në këtë stad sokëllimat “patriotike”, protestat e paralajmëruara, revolta mediatike e politikanëve çamë etj, ka dhe një racionalitet në këtë mes. Përveçse presion ndaj qeverisë për vëmëndje pa kompromis ndaj interesit kombëtar, është edhe një sfond që i jep “gojë” qeverisë në bisedime duke i dhënë të kuptojë Greqisë se publiku shqiptar nuk pranon çdo lloj marrëveshje. E mbi të gjitha protesta duhet të insistojë në më shumë transparencë dhe ratifikim parlamentar në fund.

 

Lëshimi tek e drejta përballë tërheqjes nga trillimi

Sikurse në Greqi debatojnë dhe revoltohen për lëshime të supozuara ndaj nesh, reagimi opozitar e publik tek ne mund të interpretohet fillimisht në Greqi si “fitore” por në finale do të lexohet prej fqinjit si domosdoshmëri për të qënë realist e tërhequr prej pozicioneve arkaike – ligji i luftës, injorimi kauzës çame, zyrtarizimi i minoritetit arvanitas etj. Tërheqje dhe jo lëshime këto nga pala greke sepse ajo nuk po heq dorë nga një e drejtë e natyrshme apo historike (Çamëria, ligji luftës, arvanitasit etj) ndërkohë që në këmbim por pret lëshime reale prej nesh në gjëra që nuk ua kemi borxh historikisht (varrezat, minoritetet imagjinare etj).

Negociatat me palën greke duan kohë, si për morinë e çështjeve, ashtu dhe për nevojën që ka pala përballë të dalë mbi vetveten e tabutë e së kaluarës. Bisedimet nuk mund të jenë “Big Brother” dhe transparenca totale do të ishte kundërproduktive por, në mos publiku për gjithshka, komisionet parlamentare, Presidenti etj aktorë kyç të politikës dhe shtetit shqiptar duhet të jenë në dijeni. Gjërat nuk ka pse bëhen fakt para kamerave për t’u kundërshtuar e hedhur poshtë më pas.

Sapo detajet e marrëveshjes të vinë në kuvend, atëhere politika, media e publiku bashkë, kanë të drejtën për të qëmtuar e kundërshtuar pikat e saj. Dhe nëse parlamenti i “kapur” e shpërfill vullnetin opozitar, opozita ka në dorë ankimin në Gjykatën Kushtetuese. E kur ta bëjë këtë, do të dëshmojë se ka reflektuar prej 2009 dhe se sa abuzim, ai pakt mbetet dritëshkurtësi prej saj dhe sot, se sa kërkon “ortak” në “tradhti” me ujdinë e detit për të justifikuar 2009, denoncon, pavarësisht rrezikut se mund të hapen edhe letrat e 2009.

 

Ka radhë edhe retorika e patriotizmit

Protestë duhet bërë dhe trupat nuk kanë pse “shtrihen” vetëm për detin por dhe për marrëveshjen e varrezave që qeveria duhet t’a amendonte sepse një gjë është gjetja e trupave në respekt të të rënëve, gjë tjetër është vëndprehja e tyre dhe nëse kjo e fundit do të mbetet tek ne, protokollin e vizitave duhet ta administrojë shteti shqiptar sikurse urgjentisht ky respekt duhet të shprehet edhe ndaj viktimave të genocidit ndaj Çamërisë.

Protesta opozitare nuk mundet të denoncojë një bisedë paraprake mes ministrave të jashtëm pa denoncuar më parë marrëveshjen e vulosur të 2009. Nuk mund të akuzojë për varreza kur firma është e dikujt tjetër. Ndryshe, më shumë se një denoncim ndaj kësaj qeverie, ajo më shumë do të ri-ndezë “prozhektorët” e ri-zgjojë kujtimet e marrëveshjeve problematike e litarëve përjashta prej protagonistëve të saj. Etiketimi si tradhtar është fjala e fundit dhe politika nuk e ka apriori lirinë dhe luksin e publikut në përdorimin e saj. Brenda mund të biesh për vrasje apo vjedhje por për tradhti do të ishte risi. Nëse opozita ngutet të klasifikojë si tradhti një negocim në proces sot, automatikisht ajo po përflet edhe marrëveshjen e vulosur të 2009. Nëse halli opozitar është drejtësia, jo çdo sebep që e vonon atë ia vlen. Ca thjesht e rëndojnë më tej “kandarin” e saj.

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne