Një përleshje me armë zjarri në lokalin “Bon Vivant” në Prishtinë, ka përfunduar me një të vdekur e 20 të lënduar. Të dyshuar për këtë rast janë pesë persona, një prej të cilëve ndodhet ende në arrati, e katër të tjerë janë të hospitalizuar në QKUK, nën përcjelljen e policisë. Një prej tyre dyshohet se është edhe Andi Pajaziti, i njohur me nofkën “italiani”. Para tre muajsh, Pajaziti me disa persona të tjerë e kishin shkatërruar këtë lokal dhe e kishin sulmuar fizizkisht menaxherin e lokalit.
Para tri vitesh, Pajaziti ishte arrestuar nga policia nën dyshimin për përfshirje në plagosjen me armë zjarrin të katër rojeve të klubit të natës “Duplex”.
Edhe Dukagjin Nikollaj, i njohur me nofkën “Duka”, ndodhet në arrati për përfshirje në krimin në lokalin Bon Vivant në Prishtinë. Dukagjin Nikollaj është po ashtu i kërkuar nga FBI-ja për kryerjen e disa veprave penale, kryesisht për ato të ndërlidhura me trafik droge.
Një person ka vdekur e 20 të tjerë kanë mbetur të lënduar pas të shtënave me armë zjarri në lokalin “Bon Vivant”, në Prishtinë. Katër kanë marrë plagë nga arma e zjarrit, e 17 të tjerë lëndime nga thyerja e gotave-shisheve të qelqit.
Sipas Policisë së Kosovës, deri te përleshja ka ardhur si pasojë e një mosmarrëveshje. Të dyshuar për këtë rast janë pesë persona. Njëri është arratisur e katër të tjerë janë të hospitalizuar në QKUK nën përcjelljen e Policisë.
Sipas raportimeve, Andi Pajaziti kishte shkuar të mërkurën në këtë lokal dhe donte të bënte një rezervim për të premten në mbrëmje, por nga personat përgjegjës të kafeterisë atij i është komunikuar se nuk kishte tavolina të lira.
Menaxheri i kishte thënë se janë kryer rezervimet. I kishte sugjeruar një tavolinë të lirë, por “Italianit” të dyshuar për shumë vepra penale nuk i kishte pëlqyer rekomandimi i menaxherit.
Ai kishte thirrur një grup prej 15 personash të cilët, të pajisur me mjete te forta, kishin thyer dhe demoluar lokalin “BonVivant”. Grupi, i prirë nga “Italiani”, kishin sulmuar fizikisht edhe menaxherin e lokalit.
“Disa persona kanë hyrë në një lokal dhe i kanë demoluar disa tavolina dhe më pas e kanë sulmuar viktimën mashkull kosovar (menaxher i këtij lokali), duke i shkaktuar lëndime trupore”, kishte bërë të ditur policia. “Viktima ka pranuar tretman mjekësor”.
Pas këtij sulmi, ai ishte arratisur.
“Italiani” është person me dosje të rëndë penale, i dyshuar për disa vepra kriminale në të kaluarën.
Ai ishte arrestuar më 26 nëntor, 2019, pasi kishte qëndruar për disa javë në arrati së bashku edhe me dy persona të tjerë, përfshirë Astrit Mehmetin, të njohur me pseudonimin “Llepota”, por ishte liruar pas disa javësh. /TPZ