Ibrahim Kalin për “Daily Sabah”: Ligji izraelit i shtetkombit është racist

“Me ligjin e ri, hyn në një fazë të re plani sionist për të zhdukur palestinezët dhe territoret e tyre nga faqja e dheut”, thekson zëdhënësi dhe nënsekretari i përgjithshëm i Presidencës së Turqisë, Ibrahim Kalin.

Zëdhënësi dhe nënsekretari i përgjithshëm i Presidencës së Turqisë, Ibrahim Kalin, fshikulloi të shtunën ligjin e miratuar ditët e fundit në Izrael “për shtetkombin hebre” duke e quajtur atë si një përpjekje për legalizimin e pushtimit.

Në një artikull të titulluar “Ligji izraelit i shtetkombit është racist”, publikuar në të përditshmen “Daily Sabah”, Ibrahim Kalin thotë se legjislacioni është një indikator që Izraeli e sheh veten mbi të drejtën ndërkombëtare.

“Me mbështetjen e plotë të administratës Trump, qeveria Netanyahu kërkon paturpësisht të legalizojë pushtimin dhe të bëjë armike të gjithë botën myslimane”, shkruan Kalin në artikullin e tij.

Miratuar të enjten nga Parlamenti i Izraelit (Knesset), ky legjislacion e njeh Izraelin si “shtetkomb të popullit hebre”.

“Kjo është gozhda e fundit mbi arkivolin e zgjidhjes me dy shtete”, komenton zëdhënësi presidencial turk duke e përshkruar atë si ligj racist dhe avokat të një sistemi zyrtar të aparteidit

Ligji thotë gjithashtu se një “Jerusalem i bashkuar” është kryeqyteti i Izraelit dhe se hebraishtja është gjuha zyrtare e vendit duke hequr përkufizimin e mëparshëm të arabishtes si gjuhë zyrtare dhe njohur “statusin e veçantë” të saj.

“Kjo është ‘një shuplakë tjetër’ në fytyrën e bashkësisë ndërkombëtare dhe rezolutave të OKB-së, të cilat kundërshtojnë pushtimin e paligjshëm të Jerusalemit dhe territoreve palestineze”, thekson Kalin.

Duke u ndalur gjithashtu mbi deklaratat e Netanyahut në Knesset, nënsekretari i përgjithshëm i Presidencës së Republikës së Turqisë potencon se ato ishin “një pohim i projektit sionist”, i cili do të vazhdojë në dëm të jetës, territoreve/pronave dhe lirisë së popullit palestinez.

Pas kalimit të projektligjit, Netanyahu tha përpara Parlamentit izraelit se “ky është një moment përcaktues në analet e Sionizmit dhe në historinë e shtetit të Izraelit”.

Duke thënë se vërejtjet kanë të bëjnë me fshirjen e popullit palestinez nga atdheu fizikisht dhe ligjërisht, Ibrahim Kalin i bëri thirrje botës që të refuzojë këtë ligj.

“Të gjitha vendet, komunitetet dhe grupet e avokatisë, të cilat besojnë në një zgjidhje ligjore, morale, historike dhe të drejtë të konfliktit izraelito-palestinez, duhet të bashkojnë forcat kundër mbrojtësve të racizmit dhe aparteidit”, përfundon zëdhënësi i Presidencës turke./ TRT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne