Ibrahim Kalin: Turqia nuk është vend pa alternativa

Zëdhënësi i Presidencës se Turqise Ibrahim Kallën (Kalın) tha se duhet ta dinë të gjithë që Turqia nuk është një vend që mund të sakrifikohet lehtësisht, e as nuk është pa alternativa.

Pas mbledhjes së Kabinetit mbajtur të hënën nën drejtimin e Presidentit Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) në Kompleksin Presidencial në Ankara, zëdhënësi Kallën iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve.

Në përgjigje të pyetjes së një gazetari mbi masat që do të merren pas vendimit sanksionues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) për avionët luftarakë tip F-35 që ShBA-ja duhet ti japë Turqisë, zëdhënësi Kallën tha:

“Mëshimi Turqisë duke e shndërruar gjuhën sanksionuese në një element kërcënues nuk do të ishte në interesin e askujt. Turqia nuk do të heqë dorë kurrë nga qëndrimi i saj parimor”.

Ata që e kanë çuar në Kongres çështjen e mosdorëzimit të avionëve F-35 Turqisë duhet të dinë diçka që prodhimi i avionëve F-35 është një projekt ndërkombëtar me shumë partnerë, theksoi në vazhdim Kallën, ndërsa shtoi: “Në rast të hedhjes së një hapi në drejtim të pengimit të dhënies Turqisë (të avionëve F-35), para së gjithash ka një rrugë ligjore, një arbitrazh që do ta ndjekë Turqia. Sepse ka marrëveshje e kontrata të bëra më parë. Ndërsa çështja që parashtrohet (nga amerikanët) si arsyetim për këtë është një çështje ligjore që vazhdon në Turqi (gjykimi i pastorit amerikan Brunson me akuzën se ka ndihmuar organizatat terroriste PKK dhe FETO). Me të njëjtin arsyetim edhe ne mund të ndjekim qëndrime të ngjashme duke e argumentuar këtë me gjyqësorin, proceset gjyqësore që vazhdojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) ndaj shtetasve të Republikës së Turqisë, por ne nuk dëshirojmë që puna të arrijë deri në këtë pikë”.

“Por në rast të marrjes së një mase të tillë, Turqia i ka gati planet e saj dhe do ta japë kundërpërgjigjen e duhur”,- nënvizoi zëdhënësi i Presidencës, Ibrahim Kallën, ndërsa shtoi se “Të gjithë duhet të dinë një gjë që Turqia nuk është një vend që mund të sakrifikohet aq lehtë”.

Marrëdhëniet Turqi-ShBA u përkeqësuan pasi ShBA-ja kërcënoi se do të vendosë sanksione ndaj Turqisë për shkak të pastorit amerikan Andrew Brunson, i cili u arrestua në provincën e Izmirit në dhjetor të vitit 2016 për lidhje me organizatat terroriste.

Ai akuzohet për spiunazh në favor të PKK-së, e njohur si organizatë terroriste në ShBA dhe Turqi, dhe organizatën terroriste FETO, e cila qëndron prapa tentativës për grusht shteti në korrik të vitit 2016.

Kongresi Amerikan gjithashtu është përpjekur të ndalojë shitjet e avionëve të F-35, Turqisë duke cituar arrestimet e shtetasve amerikanë në Turqi dhe blerjen e sistemeve raketore të mbrojtjes kundërajrore S-400 nga Rusia.

Në përgjigje të interesit të gazetarëve Kallën tha gjithashtu se Turqia nuk pret që tensionet e fundit të kenë një efekt negativ në udhërrëfyesin e dakorduar midis dy vendeve për qytetin verior sirian të Menbixhit.

“Plani për Menbixhin vazhdon të zbatohet ashtu siç është projektuar. Ka një kalendar dhe elemente të caktuara. Këto po bëhen hap pas hapi”,- shtoi ai.

Kallën tha se lufta e tyre ndaj kërcënimeve terroriste që vijnë nga Siria do të vazhdojë në mënyrë të vendosur.

Zëvendësi i Presidencës gjithashtu deklaroi se Presidenti Erdoan më 3 gusht do të publikojë planin e tij të veprimit 100-ditor, ndërsa plani strategjik për periudhën 2019-2023 do të përgatitet deri në nëntor./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne