Ibrahim Kallën: Marrëveshja Turqi-ShBA për Sirinë, “hap pozitiv”

Duke folur para gazetarëve pas mbledhjes së kabinetit në kryeqytetin Ankara, Ibrahim Kallën (İbrahim Kalın) tha se vazhdojnë negociatat me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) për zbatimin në terren, procesin dhe shtrirjen e zonës së sigurt (në veri të Sirisë).

Duke iu referuar krijimit të zonës së sigurt, ai tha se patrullimet e përbashkëta të trupave turke dhe amerikane do të fillojnë së shpejti në lindje të lumit Eufrat, duke shtuar se dronët turq tashmë kanë nisur të fluturojnë në rajon.

Ndërkaq nuk bëhet fjalë për mbylljen e pikës Nr.9 të vrojtimit ose zhvendosjen e saj në një vend tjetër,- nënvizoi Kallën, ndërsa shtoi: “Pikat e vrojtimit do të vazhdojnë të veprojnë të gjitha aty ku janë aktualisht”.

Zëdhënësi i Presidencës u bëri thirrje edhe regjimit të Esadit dhe Rusisë. “Dua të përsëris edhe një herë thirrjen tonë drejtuar Regjimit dhe Federatës së Rusisë, e cila e mbështet këtë regjim, që t’u dhënë fund shkeljeve”, shtoi ai.

Ibrahim Kallën tha se palës ruse i janë përcjellë reagimet e Turqisë lidhur me sulmin e pardjeshëm ndaj autokolonës ushtarake turke në qytetin Idlib të Sirisë.

Kallën theksoi se mbi Idlibin Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) do të flasë me homologun e tij rus Vladimir Putin përmes telefonit në dy ditët e ardhshme.

Ai gjithashtu tha se më 16 shtator në kryeqytetin Ankara do të mbahet nën drejtimin e Presidentit Erdoan një samit trepalësh me pjesëmarrjen e Turqisë, Rusisë dhe Iranit, si një vazhdim i procesit të paqes në Astana.

Në përgjigje të një pyetjeje Ibrahim Kallën tha se Presidenti Erdoan po përgatitet të ketë gjithashtu një telefonatë edhe me Presidentin e ShBA-së, Donald Trump./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne