Identitete të fragmentuara

Prof. dr. Kudret BÜLBÜL*

Ku e çojnë njerëzimin përkatësitë gjithnjë e më të fragmentuara?

Kur shohim epokën dhe ngjarjet që po jetojmë, në mendje na vijnë menjëherë ditët përpara Luftës I Botërore. Thuhet se “historia përsëritet” nëse nuk merren mësime nga përvojat.

Plot më se 100 vite më parë, bota po trazohej e digjej nga identitete dhe përkatësi të reja. Identiteteve perandorake u ishte shpallur luftë. Nga çdo hapësirë gjeografike shpërthenin identitete të stisura, në shumicën e rasteve pa rrënjë, të reja dhe pa histori. Si rezultat, të gjitha perandoritë, përfshi këtu ato osmane, britanike dhe austro-hungareze, u shpërbënë me intervale të caktuara.

Mjerisht, bota nuk është në gjendje të shpëtojë nga kokëçarja e shkaktuar për njerëzimin nga revolucioni francez dhe nacionalizmi i tij. Kjo sëmundje vazhdon të helmojë valë-valë të gjithë botën. Çmimi i paguar nga njerëzimi në dy luftërat botërore nuk mjafton. Kjo fantazmë sillet ende përreth çdo shteti.

Kur shohim mjedisin rreth nesh, vërejmë se po përjetojmë një situatë të ngjashme me atë para Luftës I Botërore: Ballkani, Evropa Lindore dhe Lindja e Mesme e copëtuar, ndërsa Spanja në rrugë drejt fragmentimit…

Nuk po flas vetëm shtetet e copëtuara apo në copëtim e sipër. Me identitetet fatale dhe përkatësitë e atomizuara të krijuara rishtazi, të gjitha hapësirat gjeografike po transformohen vetiu ose me dorën e njeriut në zona gati për të shpërthyer.

Me fundin e epokës së perandorive, me identitetet dhe shtetet e reja, bota nuk ka gjetur më shumë paqe. Përkundrazi, me një botë më të rindarë dhe më të fragmentuar, të gjitha vendet janë më të pambrojtura dhe më të brishta karshi sulmeve të më shumë aktorëve imperialistë globalë.

Ku e çojnë botën përkatësitë gjithnjë e më të fragmentuara? Ku ndalet fragmentimi etnik dhe sektar?

Ç’është e vërteta, kjo situatë nuk është e panjohur për njerëzimin. Në Evropën e periudhës së feudalizmit, dihet gjendja e mjeruar e njerëzimit vasal/të skllavëruar, që shitej e blihej bashkë me tokën nga sunduesit feudalë.

Sa dhe deri ku mund të lëviznin lirshëm njerëzit përpara Shtetit Osman, në kohën e principatave të Anadollit?

Përveçse t’ia vështirësojë edhe më shumë jetën e përditshme, çfarë përfitimi mund t’i sjellë njerëzimit në aspektin e ekonomisë, tregtisë, shëndetësisë, arsimit dhe udhëtimit, fragmentimi akoma më tepër i shteteve, identiteteve dhe përkatësive?

Sa më shumë të copëtohen identitetet vigane, të cilat e bëjnë njeriun qenie sociale dhe i japin ndjenjën e të qenit një pjesë e klasave të mëdha të shoqërisë, aq më shumë njeriu do të zhytet në vetmi. Krahas mjaft problemeve psikologjike, sociologjike dhe patologjike, kjo situatë do të shkaktojë edhe ndërlikime tepër serioze në lidhje me sigurinë. Sot, rrjetet kriminale apo organizatat terroriste më të vështira për t’u konstatuar dhe eliminuar nga të gjitha shtetet e botës janë ato organizata terroriste, të cilat formohen nga një person i vetëm ose nga grupe të vogla. Çfarë mund të jetë më e rrezikshme sesa një njeri apo një grup i vogël, që ka sajuar brenda enës së tij të qelqtë një vlerë vetëm për veten e vetë me identitete dhe përkatësi copë e çikë, të atomizuara; kur në thelb është çidentifikuar e zhveshur nga të gjitha vlerat?

A nuk mjafton tani çmimi që ka paguar rajoni ynë, njerëzimi dhe bota? Edhe sa më tepër duhet të paguajnë popujt dhe rajonet e shtypura/viktimizuara duke u copëtuar më shumë për hir të një racizmi etnik dhe sektar të shterpë? Edhe për sa kohë do të bëhen pre e lojës “përça e sundo” të vatrave djallëzore globale? Ky racizëm etnik dhe sektar i shterpë nuk është as racional, as njerëzor, as moral dhe as islam.

Prandaj, sikurse poeti dhe mendimtari i shquar turk, Necip Fazil, edhe ne duhet të bërtasim e të trumbetojmë: “Ti ngre krahët e ti hap si gërshërë/t’u them ndaluni turma, kjo rrugë është qorrsokak për të tërë…”

Ne duhet të zhvillojmë për njerëzimin një klimë, një mendim, një vizion që do të sigurojë më tepër bashkim e integrim dhe jo shumë përçarje e copëtim. S’kemi nevojë për më shumë copëtim dhe egoizëm, por për më tepër solidaritet/altruizëm, për një qëndrim parimor e moral, për virtyte. Ne duhet t’u ngarkojmë më shumë domethënie vlerave universale, njerëzore, morale, islame (këto përputhen në shumicën e rasteve) dhe bashkëjetesës në paqe, qetësi e harmoni. Duhet të zhvillojmë politika në këtë drejtim.

Por si?

Në fakt përgjigjet dihen, por është e vështirë që të implementohen. Duhet të vihen në jetë me durim dhe këmbëngulje.

Së pari, të gjitha vendet duhet të ndjekin politika më gjithëpërfshirëse, përqafuese në lidhje me grupet e ndryshme etnike, ideologjike, sektare dhe fetare brenda tyre. Nëse kështu veprojnë, ata duhet të këmbëngulin në këto politika duke injoruar shembujt e gabuar dhe reagimet dënuese. Sikurse Junus Emreja ka thënë: “Krijesa duhet të tolerohet për shkak të Krijuesit.”

Kësisoj politikash mund të ndiqen, por nuk mjaftojnë. Ndaj kjo e dyta është mbase më e rëndësishme: Të drejtat e njeriut, të drejtat dhe liritë themelore s’duhet të përdoren si mjete të politikës së jashtme. Vatrat djallëzore në disa vende, të cilat çdo gjë e konsiderojnë si instrument strategjik, nuk duhet t’i shikojnë dallimet në vendet e tjera si mënyrën më pak të kushtueshme për të dëmtuar ato vende. Këto dallime s’duhet të vlerësohen si një tokmak për të goditur këto shtete. Vendet me identitete dhe kultura të ndryshme brenda tyre duhet të jenë maksimalisht vigjilente kundër qëllimeve të këtilla të aktorëve imperialistë. Duhet të mos i shtyjnë njerëzit e tyre në prehrin e kësisoj aktorëve me praktika të gabuara.

Jam i vetëdijshëm se çfarë kam thënë më sipër do të shihen nga shumë njerëz vetëm si një dëshirë në aspektin e politikës së jashtme dhe realpolitikës së indeksuar në interesat e sotme. Po, kushdo që mendon në këtë mënyrë, ka shumë të drejtë në kuptimin e praktikave dhe qëllimeve të aktorëve imperialistë globalë. Dakord, meqenëse “kjo është realpolitika e botës së sotme”, vallë nuk duhet të bëjmë asnjë thirrje të indeksuar në vlera? Mos nuk duhet ta ftojmë njerëzimin në të mirën e përbashkët për të gjithë? S’duhet të harrohet që edhe pse mund të mos kenë pushtet të mjaftueshëm për të përcaktuar makropolitikat, në çdo vend ka me siguri një shtresë/inteligjencie të matur mjaft të rëndësishme brenda dhe jashtë shtetit. Dhe në terma kohorë afatgjatë të mirët gjithmonë fitojnë…/ trt

*Dekan i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit “Yildirim Beyazit”, Ankara

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne