Idrizi flet pas koalicionit me Bashën: Kemi nevojë për opozitë të fortë

TIRANE- Kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi ka folur pas takimit me kreun e PD, Lulzim Basha si dhe kalimin zyrtarisht të forcës politike që ia drejton me opozitën. Idrizi tha se përballë një mazhorance arrogante duhet një opozitë e fortë.

“Sot patëm një diskutim me zotin  Basha për të vlerësuar prioritetet reciproke të programeve tona. PDIU ka qenë në opozitë, sot është pjesë e opozitës së bashkuar. Përballë një mazhorance arrogante dhe braktisjes së shqiptarëve, ne kemi nevojë për një opozitë të fortë që të ketë alternativën e saj për të dalë nga ky tranzicion i tejzgjatur për t’u dhënë shpresë shqiptarëve.”- tha Idrizi.

Po ashtu Idrizi u ‘ngacmua’ me pyetje nga gazetarët edhe për largimet që kanë ndodhur nga kjo parti, ku një deputete iu bashkua PS dhe tjetra deklaroi se ishte e pavarur. Ai tha se ata deputetë nuk kanë qenë kurrë pjesë e PDIU, por kanë përfaqësuar interesat e maxhorancës.

“Është një ditë që vlen më shumë për këtë bashkim përkrah kësaj maxhorancë. Këta deputetë që s’janë më me PDIU janë ndodhur rastësisht tek ne. Këta kanë qenë të tretën të katërt në listë. U ekzekutua mandati i Tiranës, i Fierit dhe më pas i Elbasanit. Kjo pyetje duhej të bëhej që një vit më parë. Por që atë kohë votuan për maxhorancën dhe nuk ishin pjesë e PDIU”, -tha ai.

Ndërkohë kreu i PD, Lulzim Basha tha se opozita sot ka një mision jetik që është largimi i qeverisë së Ramës e cila sipas tij është e lidhur me krimin.

“Opozita është më e fortë me bashkimin e gjithë aktorëve. Pas takimit me kreun e PDIU ne i shërbejmë interesit të qytetarëve. Opozita e bashkuar ka sot një mision jetik për çdo familje shqiptare. Të largomë një orë e më parë aleancën e  pushtetit me krimin që ka zaptuar institucionet dhe të çlirojmë vendin nga synimi i bandave. Të ofrojmë mundësi për të gjithë përmes parimeve dhe lirisë së sipërmarrjes. Bashkëpunim ynë do shtrihet në të gjitha fushat, më tepër shkëputjen e krimit nga politika. PD ka qenë dhe mbetet e angazhuar për të drejtat e shqiptarëve të Çamërisë. Do garantojmë të drejtët e pronës për të gjithë shqiptarët e Çamërisë.”- tha Basha.

(BalkanWeb)

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne