Imam Muhidin Ahmeti – me humbjen e dijetarëve humb edhe dituria

Shkruan: Abdullah Klinaku

Shqiptarët në mesin e tyre kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë dijetar fetar të përmasave me ndikim jashtë hapësirës kombëtare. Njëri ndër ta ishte edhe hoxhë Muhidin Ahmeti, nga komuna e Prizrenit i cili ndërroi jetë dhe kaloi në Përjetësi të Zoti i Madhërishëm. Ai ishte atdhetar, patriot, fetar, dijetar e aktivist i kauzës kombëtare dhe fetare. Ishte autor librash, ligjërues, imam e profesor në trevat shqiptare dhe në vende evropiane pranë diasporës shqiptare, kryesisht në Austri.

Mirësitë e punës së tij viheshin në pah sa prekte dora e tij diku. Për këtë dëshmi janë aktivitetet e shumta që arriti ti realizoi në Wels, të Austrisë. Lajmet që publikonte përmes së cilave pasqyronte aktivitetin e Qendrës shqiptare “Horizonti”, xhamisë dhe xhematit në përgjithësi ishin shpresë për të gjithë ata mërgimtar se fëmijët e tyre janë duke u rritur pranë vlerave kombëtare e fetare të popullit të vet.

Prof. Muhidini, mëshira qoftë petku i tij prej ditë së djeshme, ashtu siç e ngjalli dhe organizoi jetën fetare në Shkodrën pas komuniste, ashtu edhe në Austri e ngjalli shpirtnitetin e fesë karshi materializmit modern. Krahas strukturimit të organizimit fetar ai ngjallte edhe vetëdijen kombëtare të shqiptarëve ku do që ishte.

Imamin merhum Muhidin Ahmetin e kujtoj nga një bisedë që kishim me disa miq në Prishtinë deri sa flisnim për dështimet e njëpasnjëshme të xhematit në organizimin politik, kulturor e fetar në Kosovë. Njëri prej tyre e tha me bindje, se këtë gjendje të rënduar dhe të vështirësuar mund ta zgjidhte vetëm hoxha Muhidin. Kur e përshkruante imamin merhum, e përshkruante si njeri të madh, të urtë, të vyeshëm e trim. E kujtonte me plotë shpresë se e ardhmja me të do të ishte e ndritshme ashtu siç kishte qenë e kaluara e tij në kauzën kombëtare e fetare.

Ai, mëshira e Zotit qoftë mbi të, përderisa me shembullin e tij individual dhe aktivitetin e vazhdueshëm e kishte luftuar sllavizmin, komunizmin e materializmin, kishe dhënë recetën e ngritjes së kombit tonë dhe ymetit në përgjithësi. Ai ishte i bindur se “shkaku i të gjithë iz-mave (fanatizmi, radikalizmi, ekstremizmi, terrorizmi…) është injoranca e njeriut. Injoranca është errësirë, dituria dritë. Errësira nuk zhduket pa ardhur drita”. Ky ishte udhëzimi tij për rinin se si të ballafaqohet me këto sfida bashkëkohore. Imami rahmet pastë, nuk besonte në projekte të çorganizuara dhe pa objektiva të çarta.

Ai ishte i bindur se lëvizjes së besimit i duhet planë dhe gjallëri e fuqishme. Kolegët e tij i këshillonte me këtë metodë pune duke shpërfaq mendimin e tij të qartë se “Imamët, mual’limët dhe mësusit e fesë me punën e tyre në xhemate duhet të bëjnë përpjekje të vazhdueshme për formimin e besimtarëve funksionalë dhe dinamikë, të cilët do të jenë bartës të ndryshimeve në shoqëri”. Ishte i sigurt se vendit i duhet gjeneratë aktive e dinamike e jo pasive e neglizhente.

Është për keq ardhje nëse autoritet publike, politike, mediatike e sociale nuk do të ndajnë dhimbjen për këtë humbje të madhe të kombit tonë. Ai ishte pishtari i dijes, racionalitetit, planifikimit dhe objektivave të çarta që do të duhej ti vinte para komuniteti fetar.

Ne, të gjallët e përkohshëm në këtë ditë xhumaje e kemi detyrë ta kujtojmë me lutje hoxhën, profesorin, atdhetarin dhe imamin Muhidin Ahmeti, Zoti e paq mëshiruar!/ kosovapost

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne