Azem Kovaçi
Faktorët kryesorë që çuan në formimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dihen. Për ata që nuk i dinë, po i përmendim shkurtimisht përsëri.
Ishte një kundërpërgjigje e koordinuar e elitës shqiptare të kohës, së bashku me Portën e Lartë, kundër copëtimit të territoreve shqiptare, të cilat faktikisht njiheshin zyrtarisht si territore të Shtetit Osman.
Siç artikulon edhe akademiku britanik J. F. Brown në librin e tij Nacionalizmi, Demokracia dhe Siguria në Ballkan, në faqen 81:
“Lidhja e Prizrenit ishte padyshim e inkurajuar nga Porta e Lartë… Sulltan Abdul Hamidi i kishte dhënë përkrahje materiale dhe morale Lidhjes…”
Në pranverën e vitit 1878, pas një lufte tre mujore të pabesë që Rusia i kishte shpallur Shtetit Osman, rezultoi disfata e Shtetit Osman në këtë luftë dhe, në tavolinën e armëpushimit, e njohur si Traktati i Shën Stefanit, Rusia shpalosi qëllimet e saj pansllave në Ballkan.
Një Bullgari e stërmadhe do të gllabëronte mbi 60% të trevave shqiptare.
Fuqitë e tjera të çakejve europianë, në asnjë mënyrë, nuk do të lejonin një dominim ruso-sllav në Ballkan. Kështu që kundërshtuan Traktatin e Shën Stefanit, jo se u dhimbsej Shteti Osman dhe shqiptarët, por donin të gllabëronin për vete dhe, në të njëjtën kohë, t’i bllokonin Rusisë daljen në ujërat e ngrohta të Mesdheut.
Rrjedhimisht, thirrën KONGRESIN E BERLINIT më 13 qershor 1878, i cili do të zgjaste afërsisht tre muaj.
Shteti Osman ishte i pafuqishëm. Territoret e tij, aka ato shqiptare, ishin kthyer në plaçkë pas luftës perëndimore.
Çakejt i ishin vërsulur një mamuthi (Shtetit Osman) dhe donin ta shqyenin. Në përfundim të Kongresit të Berlinit, shqiptarët dhe Shteti Osman dolën më pak të dëmtuar sesa parashikimet e Traktatit të Shën Stefanit.
Kjo falë lobimit diplomatik të Portës së Lartë, e cila e dinte se ambiciet e çdo pale do të çonin në mosmarrëveshje ndërmjet tyre. Gjithashtu, ajo inkurajoi shqiptarët që të protestonin deri te zyrat e Kongresit të Berlinit dhe të luftonin kundër fqinjëve, për t’u thënë se këto nuk ishin vetëm territore osmane, por në fakt territore të një kombi që quhej shqiptar dhe që kishte të drejta njëlloj si ballkanasit e tjerë.
Falë ambicieve dhe konkurrencës së çakejve perëndimorë, të cilët nuk lanë as Rusinë të merrte aq sa donte dhe nuk lanë as njëri-tjetrin të merrte gjithçka, rezultoi që shqiptarët dhe Shteti Osman të humbnin më pak territore sesa ato që ishin propozuar nga sllavët.
PËR TË KUPTUAR KONOTACIONET USHTARAKE/DIPLOMATIKE, PO HEDHIM PAK DRITË NË ATË SE…SI IU DHA ULQINI MALIT TË ZI!
(Projekti i Fuqive të Mëdha dhe rezistenca e Portës së Lartë)
Pas dështimit për dorëzimin e Plavë-Gucisë dhe Hot-Grudës Malit të Zi, konsujt e Anglisë dhe Austro-Hungarisë në Shkodër, përkatësisht Green dhe Lippich, në ditët e para të majit 1880, morën iniciativën për të përgatitur një projekt tjetër. Këtë herë u bë kujdes që të dukej sikur projektin e kishte paraqitur vetëm Anglia, si fuqi më e painteresuar.
Rusia kërkoi që Malit të Zi të mos i imponohej një zgjidhje kundër dëshirës së tij. Kërkesa e saj u pranua, madje ajo u njoftua për propozimin anglez që zhdëmtimi i Malit të Zi të bëhej me territorin në perëndim të liqenit të Shkodrës, deri në derdhjen e Bunës në det.
Edhe Franca me Gjermaninë e pranuan projektin, ndërsa Mali i Zi dhe Porta e Lartë nuk ishin informuar.
Më 11 qershor u njoftuan Fuqitë e Mëdha për projektin, i cili përfshinte dorëzimin e Ulqinit, me rrethina dhe bregdetin e tij, Malit të Zi.
Për ta bërë më të lehtë realizimin e projektit, Green dhe Lippich kishin bërë pjesë të tij një autonomi për zonën në veri të lumit Mat.
Në fakt, si bazë për projektin e dorëzimit të Ulqinit, Green dhe Lippich përdorën përkatësinë fetare të popullsisë së zonës që do t’i dorëzohej Malit të Zi. I njëjti kriter u ndoq edhe për zonën që do t’i njihej autonomia.
Kështu, në projektin e autonomisë nuk u përfshi i tërë vilajeti i Shkodrës, por zona në veri të lumit Mat.
QËNDRIMI I PORTËS SË LARTË
Që në fillim, Porta e Lartë u ndodh përpara presionit të Fuqive të Mëdha, të cilat kërkonin zbatimin e vendimeve të tyre. Dega e Shkodrës e Lidhjes së Prizrenit, e përbërë prej 14 anëtarësh myslimanë dhe 6 katolikë, ishte në koordinim me përfaqësuesit e Portës në vilajetin e Shkodrës.
Në një letër dërguar kavalierit Thoemmel, më 5–17 maj 1880, Radonich i Malit të Zi theksonte se Porta kërkonte të fitonte kohë, “për të organizuar më mirë shqiptarët dhe për të na bërë ne të humbasim durimin”.
Në të vërtetë, Porta kishte kërkuar disa herë zgjatjen e afatit, duke shpresuar në një çarje të Fuqive të Mëdha.
Më 11 qershor 1880, ambasadorët e Fuqive të Mëdha në Stamboll i dërguan një notë ministrit të Jashtëm të Perandorisë Osmane, Abedin Pashë Dinos, shqiptar nga një familje e famshme e Çamërisë, notë e cila përmbante disa dispozita të Traktatit të Berlinit. Ata kërcënuan se do t’i zbatonin me forcë vendimet dhe, për këtë qëllim, dërguan flotën përballë Ulqinit.
Abedin Pasha ngarkoi Izet Pashën të shkonte në Shkodër për të shmangur ndonjë konflikt midis shqiptarëve dhe malazezëve, sepse një gjë e tillë do të bënte që zonat shqiptare të pushtoheshin nga Fuqitë dhe territoret t’i kalonin Malit të Zi.
Abedin Pashë Dino dërgoi në Shkodër edhe dy komisionerë, njëri prej të cilëve, Mustafa Pashë Vlora, më 1879 kishte mbrojtur territoret shqiptare në Shqipërinë e Poshtme.
Më 6 korrik 1880, Ministria e Jashtme e Malit të Zi i lajmëroi Fuqitë e Mëdha se Qeveria Osmane, në njërën anë, u bën lajka shteteve të Evropës, ndërsa, në anën tjetër, armatos shqiptarët dhe i nis në anën e Bojanës për në Ulqin.
I ndodhur nën presionin e Fuqive të Mëdha, Abedin Pasha u propozoi, më 15 korrik, se Porta ishte e gatshme t’i lëshonte Malit të Zi gjysmën e Cemit dhe të rrethit të Ulqinit, me përjashtim të qytetit dhe të bregdetit.
Por Fuqitë nuk e pranuan në asnjë mënyrë propozimin e tij. Madje, nëpërmjet disa notave kolektive, i tërhoqën vëmendjen se nuk i mbetej gjë tjetër veçse të lëshonte qytetin e Ulqinit me gjithë bregdetin.
Presioni i madh i Fuqive të Mëdha bëri që qeveria në Stamboll, në dhjetëditëshin e parë të shtatorit 1880, të jepte dorëheqjen dhe bashkë me të u largua edhe Abedin Pashë Dino. Në postin e ministrit të Jashtëm u emërua Asim Pasha.
DORËZIMI I ULQINIT
Më 18 shtator, Sulltani i propozoi ambasadorit anglez ruajtjen e status quo-së së vijës së kufirit shqiptaro-malazeze, por ambasadori nuk pranoi.
Më 28 shtator 1880, ambasadorët e Fuqive të Mëdha në Stamboll i dorëzuan një notë kolektive ministrit të Jashtëm të Perandorisë, Asim Pashës, ku kërkonin dorëzimin e Ulqinit.
Dy ditë më vonë, ambasadori i Austro-Hungarisë i kërkoi Sulltanit të mos e zgjaste çështjen kaq shumë.
Më 2 tetor 1880, ambasadori i Rusisë deklaroi se e shikonte gjendjen shumë serioze. Sipas pikëpamjes së tij, Fuqitë ose duhej të hiqnin dorë nga problemi i Malit të Zi, ose të hynin në luftë kundër Turqisë. Anglia dhe ndoshta ndonjë fuqi tjetër do të dëshironin luftën. Rusia do të vihej në një situatë të vështirë.
Sipas një raporti që mban datën 23 tetor 1880, qeveria gjermane ngulte këmbë që Turqia të dorëzonte Ulqinin. Sulltani ndodhej në pozitë të vështirë, pasi i kishte siguruar shqiptarët se nuk kishte për të dorëzuar asnjë copë të territorit të tyre.
Duke përfituar nga presioni i Fuqive të Mëdha mbi Portën e Lartë, Mali i Zi shtoi dhunën mbi shqiptarët. Sulltani kërkoi nga Fuqitë të ndërhynin pranë Malit të Zi për të ndërprerë dhunën.
Ambasadori francez i përcolli princit të Malit të Zi qëndrimin e qeverisë franceze, e cila kërkonte që Mali i Zi të tërhiqte masat kundër shqiptarëve.
Më 2 nëntor, Graf Hatzfeld, përfaqësuesi gjerman në Stamboll, u takua me Sulltanin dhe i kërkoi të dorëzonte Ulqinin, sa më parë të ishte e mundur.
Pas një zgjatjeje, Porta e Lartë dërgoi Riza Pashën në vilajetin e Shkodrës, por ambasadorët e Fuqive të Mëdha dyshonin se ai nuk kishte vajtur për ta dorëzuar Ulqinin.
Betejave diplomatike dyvjeçare të Portës së Lartë me Fuqitë e Mëdha dhe, në mënyrë të veçantë, të Abedin Pashë Dinos, po u vinte fundi dhe Ulqini iu dorëzua Malit të Zi.
Duke u pajtuar me ballkanologët, profesorët amerikano-kroatë Charles dhe Barbara Jelavich, ku në librin e tyre Formimi i Shteteve Ballkanike 1804–1920, në faqet 222, 223 dhe 224, në lidhje me Portën e Lartë dhe shqiptarët, artikulojnë:
“Prej Kongresit të Berlinit tokat shqiptare pothuajse u lanë ashtu siç ishin. Bullgaria e Madhe nuk u realizua dhe tokat shqiptare mbetën përsëri nën Perandorinë Osmane. Grekët, prej kërkesave të tyre në Epir në Kongresin e Berlinit, morën vetëm një pjesë të vogël. Rezistenca e shqiptarëve, që nuk u kufizua vetëm me fjalë, por në shumë territore shqiptarët bënë një luftë të ashpër dhe të fortë, dërgoi sinjale të qarta nëpër vendet europiane se populli shqiptar ekziston dhe nuk do që të copëtohet/gllabërohet nga fqinjët e tyre….elita shqiptare nuk donte rënien e Perandorisë Osmane dhe, faktikisht, nuk kërkonin pavarësinë/shkëputjen nga Porta e Lartë….
…shqiptarët druheshin se, nëse binte Perandoria Osmane, trevat e tyre shqiptare do të gllabëroheshin nga fqinjët e tyre. Një autonomi nën protektoratin e Shtetit Osman ishte preferenca e tyre si një garanci për sigurinë e tyre kombëtare…
….Lëvizja Kombëtare Shqiptare doli në pah vetëm pas vitit 1878, edhe atëherë kur filloi ishte si reagim kundër kërcënimeve/copëtimeve prej faktorëve të jashtëm (Fuqive të Mëdha dhe fqinjëve të tyre ballkanas).”
BURIMET
Profesorët Charles & Barbara Jelavich, The Establishment of the Balkan National States, 1804–1920, published in 1986, University of Washington Press, faqet 222, 223 dhe 224.
J. F. Brown, Nationalism, Democracy and Security in the Balkans, published in 1992, faqja 81.
Akademik Xhafer Sadiku, Fuqitë e Mëdha në Formimin e Shtetit Shqiptar.
Xhafer Sadiku, Shqipëria 1878–1928, Roli i Elitës Politike.
FOTOT
Foto: Harta e kufijve të sugjeruar nga Traktati i Shën Stefanit, ku mbi 60% e tokave shqiptare iu jepeshin Bullgarisë.
Foto: Katër vilajetet shqiptare që mbetën pothuajse të paprekura edhe pas humbjes së tokave në veri dhe jug, tek boshti ortodoks sllavo-grek.
Foto: Abedin Pashë Dino nga Preveza e Çamërisë, arkitekti i Lidhjes së Prizrenit më 1878. Në të njëjtën kohë, edhe Ministër i Punëve të Jashtme i Shtetit Osman.
/fb
















