Imuniteti i Netanyahut shkakton protesta masive në Izrael

Vendimet në legjislacion të cilat do ti mundësonin kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu imunitet nga ndjekja penale, kanë shkaktuar demonstrata masive në Tel Aviv, raporton Anadolu Agency (AA).

Turma e njerëzve u mblodh të shtunën në mbrëmje para ndërtesës së Muzeut në Tel Aviv për të protestuar për veprimin e koalicionit të krahut të djathtë të Netanyahut për të miratuar një ligj i cili mbron kryeministrin nga ndjekja penale.

Protesta masive u organizua nga partitë opozitare izraelite të cilat akuzojnë Netanyahun se po kërkon të kufizojë kompetencat e Gjykatës Supreme të Izraelit për ndjekjen e tij.

Në shkurt të këtij viti, prokurori i Përgjithshëm i Izraelit, Avichai Mandelblit, tha se po shqyrton ndjekjen Netanyahut për korrupsion dhe ryshfet në tri raste të ndara.

Gjykata Supreme pritet të vendosë nëse Netanyahu duhet të dorëhiqet.

Në zyrën e kryeministrit tashmë për një dekadë, Netanyahu po synon formimin e qeverisë në mandatin e tij të pestë pas fitores në zgjedhjet e 9 prillit, në të cilat partia e tij djathtiste Likud, fitoi 36 vende në Knesset (Parlamenti i Izraelit).

Ai ka afat deri më 29 maj të formoj qeverinë e re.

Netanyahu garoi në zgjedhje në kohën kur po përballej me akuzat për korrupsion dhe ryshfet në tri raste.

Nëse arrin të formojë qeveri të re, Netanyahu do të jetë udhëheqësi me kohën më të gjatë në pushtet në historinë e Izraelit./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne