Inaugurohet gazsjellësi TANAP, “Rruga Energjetike e Mëndafshit”

Pasditen e së martës u inaugurua me ceremoni Gazsjellësi Transanadollas (TANAP), i cili do të transmetojë gazin azerbajxhanas në Evropë duke kaluar nga territoret e Turqisë.

Të pranishëm në ceremoninë e përurimit, organizuar në qytetin Eskishehir të Turqisë, ishin Presidenti Recep Tayyip Erdogan dhe homologët tij nga Republika Turke e Qipros së Veriut, Mustafa Akinci, nga Azerbajxhani, Ilham Aliyev, nga Gjeorgjia, Giorgi Margvelashvili, nga Ukraina, Petro Poroshenko, si dhe nga Serbia, Aleksandar Vuçiç.

Sot – tha Erdogan në fjalën e rastit, ne inauguruam Gazsjellësin Transanadollas, që e konsiderojmë si “Rruga Energjetike e Mëndafshit”.

“Botëkuptimi ynë, i cili e shikon energjinë si terren të bashkëpunimit dhe jo të konfliktit, është mishëruar edhe një tjetër herë falë TANAP-it. Ky gazsjellës është fryti më i freskët i vizionit tonë të përbashkët. TANAP-i është njëherësh edhe lajmëtari i projekteve të reja që ne do të sendërtojmë”, deklaroi kreu i shtetit turk.

Ai sqaroi se kapaciteti fillestar vjetor i TANAP-it është 16 miliardë m3, nga ku 6 miliardë m3 do të përdoren nga Turqia dhe 10 m3 do të transmetohen në Evropë.

Sipas kërkesave – vijoi presidenti turk – ne synojmë që kapacitetin vjetor të Gazsjellësit Transanadollas ta çojmë në 22 miliardë m3 dhe në një fazë të mëpasshme, nëpërmjet investimeve shtesë, deri në 31 miliardë m3.

Erdogan theksoi se me TANAP-in, Turqia nuk është më një vend transit i energjisë në përgjithësi dhe gazit natyror në veçanti, por zotëron tashmë një pozitë kritike duke luajtur rol me peshë në çdo etapë të zinxhirit të vlerave që shtrihet nga prodhuesit e deri tek konsumatori më i fundit.

“TANAP-i do të kontribuojë jo vetëm për sigurinë e furnizimit, por edhe për mirëqenien dhe punësimin në vendet e gjurmës së tij nga rajoni i Kaspikut e deri në Evropë”, potencoi ai.

Presidenti Erdogan bëri me dije gjithashtu se transmetimin e parë të gazit në kufirin e Greqisë synojnë ta realizojnë në muajin qershor të vitit 2019./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne