Shqiperia

Inaugurohet shtëpia e “drejtësisë së re”, kreu i KLP-së: Frytet po vijnë, besim dhe durim!

Inaugurohet shtëpia e “drejtësisë së re”. Godina te ish-Fusha e Aviacionit ku do të vendosen administrata e KLP-së dhe KLGJ-së do të quhet “Poli i Drejtësisë”. Inaugurimi bëhet sot, në 3-vjetorin e miratimit të Reformës në Drejtësi. Në ceremoninë e inaugurimit marrin pjesë shumë personalitete, e ngarkuara me punë e SHBA-ve në Tiranë Leyla Moses-Ones, shefja e ONM-s Genoveva Ruiz Calavera, ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonasj si dhe drejtuesit e KLP, KLGj dhe Magjistratuës.

Sokol Sadushi: Magjistratët, drejtësi me modelin e ri
Kreu i Shkollës së Magjistraturës, Sokol Sadushi u shpreh në fjalën e tij se studentët do të trefishohen, ndërsa do të japin drejtësi me modelin e ri. “Në tetor jemi gati të presim 65 studentë të rinj në shkollën e Magjistraturës, trefishin e atyre aktual. Shkolla do të duhet të përballet me një numër të konsiderueshëm kandidatësh. Deri tani janë gati për të hyrë në sistem 41 magjistratë të rinj. 16 magjistratë të rinj po përgatiten që të hyjnë në sistem. Magjistratët e rinj do të bëjnë drejtësinë me modelin e ri” tha Sokol Sadushi.
Kreu i KLP-së: Fara e drejtësisë së re ka zënë rrënjë, frytet po vijnë, besim dhe durim!
Kryetari i KLP-së, Gent Ibrahimi deklaroi në ceremoninë e inaugurimit të pallatit të ri të drejtësisë se koha e sistemit të vjetër ka përfunduar dhe tashmë do të fillojë një epokë e re që pritet të japë rezultatet duke filluar nga vjeshta.
Shembujt e parë janë vërtetuar, sidomos për ngritjen e SPAK-ut. Opinioni ka ndjekur procesin. Vetë ne shijuam një proces shembullor që nisi nga parimet dhe rregullat për të zbritur te emrat për të shërbyer. Kandidatë që vlerësohen kundrejt kritereve.Askush nuk mund të pretendojë se tërheq fijet e padukshme të interesave, askush nuk mund të paracaktojë rezultatet. Koha kur vendimet merreshin dhe procedurat kryheshin thjesht për t’i legjitimuar ka mbaruar.

Prania e kudo ndodhur e ndërkombëtarëve janë garancia më e madhe dhe e plotë për integritetin dhe suksesin e SPAK. Pavarësisht klimës së mosbesimit, kjo pritje pozitive na motivon për t’i çuar standardet përpara. Së shpejti do të zgjedhim kandidatët për Prokurorin e Përgjithshëm. Të gjithë të barabartë në start të gjithë në vendin e vet në finish.

Magjistratët që do të betohen sot janë të ndryshëm nga të tjerët ndër vite. Fara e drejtësisë së re ka zënë rrënjë, frytet po vijnë, ne ju presim besimin dhe durimin për ti shkuar në fund kësaj rruge që kemi nisur” tha ai./shqiptarja

OPINIONE