Bota

Indi, dëbohet studenti gjerman për pjesëmarrje në protestat kundër ligjit të shtetësisë

India dje ka dëbuar një student 24-vjeçar gjerman, pasi ai u ishte bashkuar protestave kundër ligjit të ri të shtetësisë, që besohet se është diskriminues ndaj muslimanëve.

Në fotografitë e qarkulluara në mediat indiane, studenti Jakob Lindenthal shfaqet me një pankartë që quan të njëjta praktikat e qeverisë indiane me ato të Gjermanisë naziste, ku shkruhej “1993-1945 –=- Ne kemi qenë atje”.

Duke konfirmuar se studentit 24-vjeçar iu tha të largohet nga vendi, një zyrtar i qeverisë indiane u tha mediave se studenti gjerman, i regjistruar në Institutin Indian të Teknologjisë në qytetin Chennai, ka shkelur kushtet e vizitave të studentëve.

Studentët në të gjithë Indinë kanë protestuar kundër ligjit të ri që u jep shtetësi hindusëve, parsistëve, siktëve, budistëve dhe të krishterëve, por jo musimanëve, të cilët migruan nga Afganistani, Bangladeshi dhe Pakistani.

Aktivistët e kanë cilësuar ligjin diskriminues nga frika se ai synon “heqjen e të drejtave” muslimanëve indianë. Megjithatë, kryeministri Narendra Modi ka mohuar pretendimet e tilla.

Lindenthal, i cili foli për gazetën në gjuhën angleze “Indian Express”, tha se ai mori udhëzime nga Zyra Rajonale e Regjistrimit të të Huajve (FRRO) për t’u larguar nga India.

“Ndjeva mirënjohjen e shumë personave në protestë për solidaritetin nga një huaj. Doja t’u jepja atyre së paku mbështetjen time morale përsëri pasi kisha marrë pjesë në marshimin protestues në kampusin e ‘IIT Madras’ “, tha Lindenthal.

Sipas tij, pas epokës naziste shumë njerëz pretenduan se nuk duhet të dinë asgjë për gjenocidet ose mizoritë ose deklaruan se ato ishin vetëm pasive.

“Prandaj, unë e shoh si detyrë të mësojmë nga këto mësime dhe jo vetëm të shikojmë kur ndodhin gjërat që dikush beson se janë ‘ngritje gurësh’ në një zhvillim ndoshta shumë më të rrezikshëm”, tha Lindenthal për gazetën indiane para se të nisej për në Gjermani.

Studenti tha se ai ishte thirrur në zyrën e FRRO-së, ku iu përgjigj pyetjeve të oficerëve.

“Diskutuam kulturën e demonstrimit. Ishin tre oficerë, përfshirë një që më bëri të gjitha pyetjet. Askush nuk u emërua. Në fund të bisedës, ata thanë duhet të largohem nga vendi menjëherë për shkeljen e rregullave të vizës time studentore”, tha Lindenthal.

– Studentja muslimane ndalohet të marrë pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimit

Ndërkohë, një studente muslimane në Universitetin Pondicherry ka pohuar se ajo nuk u lejua të marrë pjesë në ceremoninë e ndarjes së një çmimi.

Rabeeha Abdurehim, një fituese e medaljes së artë, pretendoi se ajo ishte ndaluar të marrë pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimit që ishte planifikuar të hënën, ku presidenti Ram Nath Kovind ishte i ftuari kryesor.

Rabeeha, e cila kishte kryer kursin e saj për mastër në Komunikimin Masiv, refuzoi ndarjen e medaljes së artë nga presidenti për të treguar solidaritet me studentët që protestojnë kundër ligjit të ri të shtetësisë.

“Studenti pretendoi se asaj i ishte kërkuar nga një oficer i lartë i policisë të lëshonte auditorin para fillimit të ceremonisë”, tha agjencia e lajmeve ‘Press Trust of India’.

Administrata e universitetit nuk ka pranuar të komentojë pretendimet e saj.

Në Bengalin Perëndimor, guvernatorit Jagdeep Dhankar dje iu paraqitën flamuj të zi nga studentët në Universitetin Jadavpur. Ai u përshëndet me pankarta që shkruanin “Aktivist i BJP-së Z. Jagdeep Dhankar (Partia Bharatiya Janata), kthehu mbrapa”.

Sipas agjencisë së lajmeve “Press Trust of India”, guvernatori i cili ishte ftuar për ceremoninë e ndarjes së çmimeve, e cilësoi ngjarjen “incident të pakëndshëm dhe shqetësues”./AA

OPINIONE