India dhe Kina bien dakord të “tërhiqen dhe të zbusin tensionet” në kufi

India dhe Kina ranë dakord të tërheqin menjëherë trupat e tyre në kufirin e diskutueshëm të përballjes disa mujore, thuhet sot në një deklaratë të përbashkët.

Diplomatët e lartë të New Delhit dhe Pekinit ranë dakord në një takim në kryeqytetin rus Moskë të enjten që trupat kufitare të të dyja palëve “duhet të vazhdojnë dialogun e tyre, të tërhiqen shpejtë, të mbajnë distancën e duhur dhe të zbusin tensionet”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga Ministria e Jashtme e Indisë.

Gjigantët aziatikë janë dëshmitarë të një ballafaqimi të shtuar përgjatë vijës së kontrollit aktual, një kufi “de facto” pranë rajonit të Himalajeve në zonën e diskutueshme Ladakh në Xhamu dhe Kashmir, ku 20 ushtarë indianë u vranë në qershor.

Që nga ajo kohë, një seri takimesh janë mbajtur midis dy vendeve por pa sukses. Megjithatë, të dyja vendet akuzonin njëra-tjetrën për hapjen e zjarrit në kufirin e diskutueshëm, për herë të parë pas katër dekadash.

Marrëveshja e së enjtes u arrit gjatë një takimi midis ministrit të Jashtëm të Indisë, Subrahmanyam Jaishankar dhe homologut të tij kinez, Wang Yi në margjinat e Takimit të Ministrave të Mbrojtjes të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait në Moskë.

“Të dy ministrat e Jashtëm ranë dakord që situata aktuale në zonat kufitare nuk është në interes të asnjërës palë”, thuhet në deklaratë, në të cilën kishte 5 pika për të cilat ranë dakord.

Takimi i së enjtes ishte i fundit nga një seri takimesh midis përfaqësuesve të lartë ushtarakë dhe politikë të të dy vendeve.

Deklarata gjithashtu tha se të dy ministrat në “diskutimin e tyre të sinqertë dhe konstruktiv”, ranë dakord që ndërsa situata zbutet, “të dyja palët duhet të përshpejtojnë punën për arritjen e masave të reja të ndërtimit të besimit për të ruajtur dhe forcuar paqen dhe qetësinë në zonat kufitare”./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne