Bota

India i bashkohet vendeve si Turqia, pritet nënshkrimi i marrëveshjes për blerjen e sistemit raketor S-400

Marrëveshja e shumëpritur për furnizim me sistemin raketor rus S-400 për Indinë do të nënshkruhet këtë vit, pasi palët pritet që të bien dakord vetëm për çmimin, tha Shërbimi Rus i Bashkëpunimit Ushtarak-Teknik (FSMTC).

“Për momentin, të gjitha çështjet teknike janë diskutuar dhe janë dakorduar. Mbetet vetëm për tu rënë dakord lidhur me çmimin dhe për kryerjen e procedurave të nevojshme”, tha për Interfax kreu i FSMTC-së Dmitry Shugaev.”Unë mendoj se këtë vit do të shkojmë në pikën e nënshkrimit të dokumenteve përkatëse të kontratës”.

Marrëveshja 5.5 miliardë dollarëshe për furnizimin me sistemin S-400 është arritur në nivel shtetëror midis Moskës dhe Nju Delhit në vitin 2016, por një kontratë specifike ende nuk është nënshkruar. Më parë, nënkryetari i FSMTC-së, Vladimir Drozhzhov siguroi se “nuk bëhet fjalë për refuzim të furnizimit me sistemin S-400 nga pala indiane”.

“Nuk them se nënshkrimi po shtyhet. Procesi negociues po zhvillohet dhe parametrat e çmimeve janë duke u përcaktuar,” tha ai. “India donte të ulte çmimin dhe çështja u diskutua kur Ministri indian i Mbrojtjes Nirmala Sitharaman vizitoi Moskën më herët në prill,” shtoi ai.

Sistemi anti-raketor S-400 ka tërhequr mjaft interes vitet e fundit. Shitjet për Kinën filluan këtë vit. Turqia pret mbërritjen e sistemeve S-400 në vitin 2020 në një marrëveshje prej 2.5 miliardë dollarësh, pavarësisht kritikave dhe kërcënimeve nga aleatët e saj amerikanë dhe NATO, ndërsa marrëveshjet me Arabinë Saudite dhe Katarin janë aktualisht në proçes.

Sistemi S-400 Triumf, ose SA-21 Growler, sipas klasifikimit të NATO-s, është pajisja më e avancuar e mbrojtjes ajrore të Rusisë, me aftësi të pakrahasueshme me çdo sistem tjetër në botë. Sistemi përbëhet nga një sërë radarësh, raketash dhe mjetesh komanduese. Ai mund të rrëzojë avionë taktikë dhe strategjikë, si dhe raketa balistike dhe kruizer, në distanca deri në 400 kilometra./rt/Gazeta Impakt

OPINIONE