Indonezi – Rritet në 91 numri i viktimave të tërmetit

Sutopo Purwo Nugroho, zëdhënësi i Agjencisë Kombëtare të Menaxhimit të Fatkeqësive (BNPB), në një deklaratë konfirmoi numrin e të vdekurve në tërmet dhe tronditjen në ishullin e Lombokut.

Duke vënë në dukje se zonat që u prekën më shumë nga tërmeti ishin pjesët veriore e lindore të Ishullit Lombok dhe qyteti Mataram, zëdhënësi Nugroho tha se shumica e viktimave kishin vdekur si pasojë e mbetjes nën rrënojat e banesave të shembura nga lëkundjet e tërmetit.

Pasi tha se shumica e viktimave ishin regjistruar në pjesën veriore të ishullit, Nugroho njoftoi se nga tërmeti kishin mbetur të plagosur më shumë se 300 të tjerë.

Ai gjithashtu theksoi se rreth 1.000 turistë vendas dhe të huaj ishin evakuuar nga Ishujt Gili për në zona më të sigurta.

Në zonë është dërguar një numër i madh personeli mjekësor, ndërkohë vazhdojnë punimet për të siguruar nevojat themelore si: batanije, çadër dhe ushqime për mijëra vetë që janë evakuuar nga zona, sqaroi Nugroho.

Tërmeti dëmtoi mbi 1.000 shtëpi dhe ekipet e kërkim-shpëtimit të mbështetura nga helikopterët vazhdojnë përpjekjet në këtë zonë.

Presidenti indonezian Joko Widodo shprehu “pikëllimin e thellë” të tij mbi tërmetin vdekjeprurës dhe u bëri thirrje të gjitha ekipeve të kryejnë operacione kërkimi dhe shpëtimi në mënyrën më të mirë të mundshme.

Peter Dutton, ministri i Punëve të Brendshme të Australisë, i cili në momentin e tërmetit ndodhej atje, tha se kishin qenë me shumë fat që kishin shpëtuar nga fatkeqësia.

Në një prononcim për radion “2GB”, me seli në Sidnei, ministri Dutton kishte thënë se në Ishullin Lombok të Indonezisë kishte shkuar për një konferencë rajonale në lidhje me antiterrorizmin, dhe në momentin që kishte rënë tërmeti ai ndodhej në restorant, në katin e 12-të të hotelit ku qëndronte.

Epiqendra e tërmetit ishte në thellësinë 15 km të tokës dhe 27 kilometra në verilindje të qytetit Mataram në Ishullin e Lombokut – një destinacion i preferuar turistik, sipas Agjencisë për Meteorologji, Klimatologji dhe Gjeofizikë (BMKG).

Një paralajmërim i cunamit, i lëshuar më herët për rajonin, u hoq,- shtoi agjencia.

Deri më tani janë regjistruar 47 tronditje me një madhësi më të vogël, tha zëdhënësi në një deklaratë të mëparshme.

Ndërkohë, Aeroporti Ndërkombëtar “Praya” po funksionon normalisht pas pezullimit të përkohshëm të fluturimeve për shkak të ndërprerjes së energjisë nga tërmeti, thanë zyrtarët e aeroportit.

Javën e kaluar, 16 njerëz u vranë, kur një tërmet me madhësi 6,4 kishte goditur të njëjtin rajon, duke shkaktuar evakuimin e më shumë se 1.000 alpinistëve./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne