Inflacioni rritet në 2%, shtrenjtohen ushqimet

Inflacioni shënoi 2 për qind në muajin maj pasi kishte pësuar rënie për tre muaj radhazi, dhe rritjen më madhe e shënuan çmimet e ushqimeve.

Sipas raportit të publikuar sot nga INSTAT: Rritja vjetore e çmimeve në muajin Maj është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +1,42 pikë përqindje.

Çmimet e grupit “Transporti” kanë kontribuar me +0,16 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” kanë kontribuar me +0,15 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Argëtim e kulturë” kanë kontribuar me +0,06 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” kanë kontribuar me +0,04 pikë përqindje dhe çmimet e grupit “Shërbimi arsimor” kanë kontribuar me +0,03 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Komunikimi” kanë kontribuar me +0,02 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” kanë kontribuar me -0,08 pikë përqindje dhe çmimet e grupit “Mobilje, paisje shtëpie dhe mirëmbajtje” kanë kontribuar me -0,02 pikë përqindje.

Ndryshimet vjetore të grupeve kryesore – Krahasuar me muajin Maj 2016, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 3,8 %, pasuar nga grupet “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3,0 %, “Transporti” me 2,6 %, “Argëtim dhe kulturë” me 2,0 %,“Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,9 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 0,8 %, etj.

Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “fruta” u rriten me 7,1 %, pasuar nga nëngrupet “zarzavate përfshirë patatet “me 6,8 %, nëngrupet “sheqer, reçelra e ëmbëlsira”, “peshk” dhe “qumësht, djathë e vezë” me nga 5,0 % secila, etj. Nga ana tjetër çmimet e nëngrupit “vajra dhe yndyrna” u ulën me 2,7 % .

Ndryshimi mujor i indeksit është -1,2 %. Krahasuar me muajin Prill 2017 ulja më e madhe mujore e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 2,7 %, pasuar nga grupet “Argëtim dhe kulturë” me 2,4 %, “Transporti” me 0,7 %, etj. Rritja më e madhe mujore e çmimeve vërehet në grupin “Veshje dhe këpucë” me 0,3 %.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne