INSTAT: Prill-qershor bien lindjet me mbi 5 për qind

Instituti i Statistikave publikoi të mërkurën të dhënat e radhës për lindjet dhe rritjen e popullsisë, të cilat vazhdojnë të kenë prirje negative.

Të dhënat tregojnë se lindjet ranë me 5,7 për qind ndërsa shtesa natyrore e popullsisë ra me 5,5 për qind.

Periudha prill-qershor e 2019-ës pati 383 lindje më pak se ajo e vitit 2018.

Në këtë periudhë lindën 6,362 fëmijë ndërsa vitin e shkuar patën lindur 6,745 fëmijë.

Ulja e lindjeve ndikon edhe te treguesi i shtesës natyrore të popullsisë, që është diferenca mes lindjeve dhe vdekjeve.

Për periudhën Prill-Qershor u regjistruan 4,777 vdekje, që krahasuar me një vit më parë, (4,971) rezulton me një numër më të vogël, por që gjithësesi nuk ndikon shumë në prirjen në ulje të shtesës natyrore të popullsisë.

Që prej vitit 2016 të dhënat e INSTAT kanë treguar se popullsia e Shqipërisë po zvogëlohet dhe plaket.

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka treguar gjithashtu se në 5 vitet e fundit pensionistët u shtuan me 12 për qind të popullsisë ndërsa gjysma e shqiptarëve tashmë janë më të vjetër se 35,4 vjeç.

Ndër faktorët kryesorë që po ndikon në tkurrjen e popullsisë mbeten ulja e lindjeve dhe emigrimi masiv.

Qeveria është vonuar t’u përgjigjet këtyre treguesve. Vetëm në fillim të këtij viti ajo njoftoi rritjen e shpërblimit për lindjet nga 5 mijë lekë që ishte më parë në 40 mijë lekë për fëmijën e parë, 80 mijë për të dytin dhe 120 mijë për të tretin.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se kjo politikë nuk ka mjaftuar për të ndryshuar prirjen rënëse të lindjeve.

Ndërkohë emigrantët shqiptarë po marrin nështetësi dhe po vendosin të mos kthehen më në Shqipëri.

Sipas të dhënave të EUROSTAT, vetëm për vitin 2017-të, 825,400 emigrantë morën shtetësi të një vendi të BE-së ku mbi 50 mijë ishin me kombësi shqiptare./ exit.al

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne