INSTITUCIONALIZIMI I NDARJES ETNIKE DHE SFIDAT E SOVRANITETIT

Sheradin Berisha 

 

Historia na mëson se marrëveshjet që injorojnë vullnetin e mirëfilltë të një populli krijojnë ekuilibra të ngrirë gjeopolitikë.

 

Gjeneza e ndarjes etnike

Po të lexosh me kujdes Pakon e Ahtisaarit, e cila ka derivuar nga një zinxhir i gjatë marrëveshjesh ndërkombëtare midis viteve 1999 dhe 2008, spikaten me lehtësi shumë komponentë të modifikuar që reflektojnë qartë ndarjen dhe krijimin e një entiteti serb në Kosovë. Substrati i ndarjes së Kosovës, ngjashëm me skenarin e Bosnjë-Hercegovinës, është bazamentuar fillimisht përmes krijimit të enklavave serbe. Këto enklava, në “Aneksin për Decentralizim” të Pakos së Ahtisaarit, u definuan si komuna etnike serbe, duke mundësuar shkëputjen e plotë administrative të pjesës veriore (Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan), duke përfshirë edhe Mitrovicën e Veriut deri te ura e lumit Ibër.

Në aspektin historik, ndarjen e Kosovës në dy entitete (atë shqiptar dhe atë serb) e ka projektuar qysh herët Akademia Serbe e Shkencave dhe e Arteve (SANU), në krye me Dobrica Qosiqin, dhe në periudha të caktuara ky projekt është përdorur si plan rezervë për realizimin e synimeve serbe në Kosovë. Realiteti i sotëm tregon se ajo që dikur ishte thjesht një projekt akademik i Beogradit, u shndërrua në kornizë ligjore përmes negociatave ndërkombëtare.

Kronologjia e kompromiseve

Duhet ta kuptojmë njëherë e mirë se Pavarësia e Kosovës, si embrion i Pakos së Ahtisaarit, është derivat i shumë dokumenteve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare për Kosovën, të arritura gjatë viteve 1999 – 2008, dhe nuk ka të bëjë me vullnetin e mirëfilltë e të plotë të shqiptarëve për vetëvendosje.

Ky rrugëtim u përcaktua nga katërmbëdhjetë shtylla kryesore dokumentare:

1. Marrëveshja e Rambujesë (Shkurt/Mars 1999) – e cila përjashtoi opsionin e pavarësisë së menjëhershme.

2. Marrëveshja Tekniko-Ushtarake e Kumanovës (NATO/Serbi, 9 qershor 1999) – që përcaktoi KFOR-in si autoritet suprem.

3. Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së (Nju Jork, 10 qershor 1999) – që la Kosovën nën sovranitetin nominal të ish-Jugosllavisë.

4. Korniza Kushtetuese e Kosovës (Prishtinë, 15 maj 2001) – që instaloi Vetëqeverisjen e Përkohshme pa status përfundimtar.

5. Marrëveshja Hakerup-Çoviq për Kosovën (Beograd, 5 nëntor 2001) – e cila rikonfirmoi të drejtat e Beogradit mbi popullatën serbe.

6. Plani i Implementimit të Standardeve Para Statusit (Nju Jork, dhjetor 2003) – formula “Standardet para Statusit” që bllokoi proceset sovrane.

7. Raporti i Kai Aides për Kosovën (Nju Jork, 13 qershor 2005) – që konstatoi se status quo-ja ishte e paqëndrueshme por hapi rrugën e kompromiseve.

8. Gjashtë Parimet e Grupit të Kontaktit (Nju Jork, 9 nëntor 2005) – që ndaluan ndarjen, por imponuan mbrojtjen asimetrike të minoriteteve.

9. Pakoja e Ahtisaarit (Nju Jork, Vjenë, 2 shkurt 2007) – Propozimi Gjithëpërfshirës që sanksionoi pavarësinë e mbikëqyrur dhe decentralizimin etnik.

10. Traktati i Miqësisë Kosovë-Serbi (Nju Jork, Vjenë, 30 gusht 2007) – përpjekjet e dështuara të Treshes për marrëveshje direkte.

11. Raporti i Treshes së Grupit të Kontaktit (Ischinger, Wisner, Kharchenko) (4 dhjetor 2007) – konstatimi i ngujimit diplomatik BE-SHBA-RUSI.

12. Deklarata e Pavarësisë (17 shkurt 2008) – e shpallur në koordinim të plotë me Brukselin dhe Uashingtonin, brenda kornizës së Ahtisaarit.

13. Gjashtë Pikat e Ban Ki-moon-it (OKB – Nju Jork, 13 qershor 2008) – që i dhanë rol të zgjeruar Serbisë në polici, gjykata dhe dogana në veri.

14. Kushtetuta e Republikës së Kosovës (15 qershor 2008) – e cila u dizajnua mbi ndalimet dhe kufizimet e Pakos së Ahtisaarit.

Teatri i dialogut

Të gjitha këto marrëveshje të përgatitura nga qendrat politike ndërkombëtare, që kulmuan me shpalljen e pavarësisë dhe miratimin e Kushtetutës së Kosovës, lidershipi politik dhe institucional i vendit i ka artikuluar gabimisht si „vullnet“ të pastër të popullit. Në realitet, ky proces shmangu të drejtën legjitime të popullit për vetëvendosje sipas konventave të OKB-së.

Kjo lojë politike u intensifikua me nisjen e dialogut të ri Beograd-Prishtinë në Bruksel (2011–2012). Bisedimet fillimisht u kamufluan si “teknike dhe pragmatike” nën drejtimin e Edita Tahirit dhe Borko Stefanoviqit. Megjithatë, koha dëshmoi se ato bisedime ishin të pastra politike. Kalimi i procesit në nivelin e lartë Thaçi-Daçiq nxori në dritë agjendën e vërtetë: materializimin e koncesioneve territoriale dhe administrative që ishin premtuar qysh në Vjenë.

Çimentimi i Asociacionit

Si përfundim, ish-kryeministri Hashim Thaçi dhe institucionet e Kosovës, duke pranuar pa kushte Pakon e Ahtisaarit, në fakt pranuan premisat e ndarjes së brendshme të Kosovës në dy entitete. Përmes negociatave të vazhdueshme në Bruksel, ky koncept po çimentohet dita-ditës. Koncepti i entitetit serb po merr formë dhe përmbajtje përmes një njësie autonome, e cila në fazën e saj embrionale u pagëzua si “Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe”.

Ky Asociacion, me kompetenca të zgjeruara ekzekutive dhe i lidhur direkt me Beogradin, nëse jetësohet do të dëmtoj një herë e përgjithmonë unitetin territorial dhe institucional të Kosovës. Duke krijuar një shtet brenda shtetit, arkitektura ndërkombëtare dhe lidershipi vendor i asaj kohe e kanë bërë të pamundur realizimin e vullnetit historik të shqiptarëve për t’u bashkuar nesër në një shtet të vetëm kombëtar. Kosova e Ahtisaarit mbetet e gozhduar në një kompromis të ngrirë, ku sovraniteti i saj funksional sakrifikohet për të kënaqur orekset gjeopolitike të fqinjit të saj verior dhe ndërmjetësve ndërkombëtarë.

Bibliografia nga dokumentet ndërkombëtare

1. Qosiq, Dobrica (1992 – 2000). Projekti për ndarjen e Kosovës. Shënime dhe propozime akademike mbi krijimin e dy entiteteve në Ballkan.

2. Rambouillet Accords (1999). “Interim Agreement for Peace and Self-Government in Kosovo.” Dokument i OKB-së.

3. Marrëveshja Tekniko-Ushtarake e Kumanovës (9 qershor 1999). Ndërmjet Forcave të Sigurisë Ndërkombëtare (KFOR) dhe Qeverisë së Republikës Federale të Jugosllavisë

4. Këshilli i Sigurimit i OKB-së (10 qershor 1999). “Rezoluta 1244 (1999).” Nju Jork.

5. Misioni i OKB-së në Kosovë (UNMIK) (15 maj 2001). “Rregullorja Nr. 2001/9 mbi Kornizën Kushtetuese për Vetëqeverisje të Përkohshme në Kosovë.” Prishtinë.

6. Marrëveshja Hakerup – Çoviq (Beograd, 5 nëntor 2001). Dokumenti i Përbashkët UNMIK-RFJ mbi bashkëpunimin institucional.

7. Eide, Kai (13 qershor 2005). “A Comprehensive Review of the Situation in Kosovo.” Raporti drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së. Nju Jork.

8. Grupi i Kontaktit (9 nëntor 2005). “Guiding Principles of the Contact Group for a Settlement of Kosovo’s Status.” Nju Jork.

9. Ahtisaari, Martti (2 shkurt 2007). “Propozimi Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës (Pakoja e Ahtisaarit).” Vjenë/Nju Jork.

10. Komisioni i Venedikut / Kuvendi i Kosovës (15 qershor 2008). “Kushtetuta e Republikës së Kosovës.” Prishtinë. Ki-moon, Ban (13 qershor 2008). “Raporti i Sekretarit të Përgjithshëm mbi Misionin e OKB-së në Kosovë (Plani 6-pikësh).” Kombet e Bashkuara, Nju Jork.

11. Bashkimi Evropian (2011 – 2013). “Marrëveshjet Teknike Edita Tahiri – Borko Stefanoviq dhe Marrëveshja e Parë e Parimeve për Normalizimin e Marrëdhënieve (Thaçi – Daçiq, 19 prill 2013).” Shërbimi Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS), Bruksel.

───

ZAJEDNICA NJË GUR I RËNDË NË QAFËN E REPUBLIKËS …!

ZAJEDNICA NJË GUR I RËNDË NË QAFËN E REPUBLIKËS …!

***

NGA KURTHI I AHTISAARIT TE REPUBLIKA E ADEM JASHARIT

NGA KURTHI I AHTISAARIT TE REPUBLIKA E ADEM JASHARIT

NDANI KËTË POSTIM

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Mund tju interesojne