Institucionet e reja, bashkohen Hipoteka, Aluizni dhe ATP

Institucionet që administrojnë pronat do të jenë të parat që do të ristrukturohen nga qeveria e re.

Burime të Report TV bëjnë me dije se Hipotekat, ALUIZNI dhe Agjencia e Trajtimit të Pronave do të bashkohen në një institucion të vetëm.

Qëllimi i kësaj shkrirjeje është unifikimi i të dhënave të pronave në një organ të vetëm, duke shmangur burokracitë, përplasjet dhe ping-pongun që ju bëhej qytetarëve. Në këtë mënyrë thjeshtëzohen procedurat dhe minimizohen hapësirat për korrupsion.

Duke i shkrirë institucionet që administrojnë pronat në një të vetme, synohet dhe elemiminimi i mbivendosjes së pronave, ku regjistrat e hipotekave përplaseshin me ato të ATP-së, apo ALUIZNI-t.

Duke funksionuar si një trup i vetëm synohet tu jepet ritëm punëve të përbashkëta, duke i dhënë fund praktikës së pengimit të punës së njëra-tjetrës, ku ALUIZNI legalizonte dhe hipoteka nuk i regjistronte.

Burimet bëjnë me dije se këto tre institucione: pra Hipoteka, ALUIZNI dhe ATP-ja do të jenë tre sektorë të brendshëm të të njëjtës drejtori të përgjithshme.

Ekspertët e PS-së janë duke punuar për këtë çështje, më qëllim gjetjen e rrugës më të lehtë të bashkimit të këtyre drejtorive. Burimet thonë se ka një diskutim sa i takon përfshirjes së Agjencisë së Trajtimit të Pronës, pasi kjo agjenci detyrohet të kompensojë ish-pronarët me vendime të Strasburgut.

Këto kompensime janë me vlerë të lartë financiare, dhe nëse tre drejtoritë janë bashkë, edhe buxhetet e hipotekës dhe Aluizni-t do të rëndoheshin nga faturat e ATP-së.

Arkitektura e re e administratës dhe qeverisë do të jetë gati në fund të muajit gusht, për tu miratuar në Asamblenë e PS-së dhe për tu zbatuar nga qeveria e re në shtator.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne