Institucionet që nuk paguajnë sigurimet mbeten pa rrogat e muajit pasardhës

Ministria e Financave ka shtrënguar masat ndaj institucioneve publike që nuk paguajnë në mënyrë të rregullt detyrimet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore të punonjësve.

“Strukturat përgjegjëse në degët e thesarit nuk autorizojnë pagesën e pagës në muajin pasardhës, nëse nuk është kryer pagesa e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore dhe tatimit mbi të ardhurat personale, në muajin e mëparshëm nga njësitë shpenzuese të qeverisjes qendrore dhe vendore”, thuhet në udhëzimin për zbatimin e buxhetit 2018, i cili është lëshuar për njësitë zbatuese nga Ministria e Financave.

Me implementimin e sistemit të ri informatik tatimor dhe me mbylljen e llogarive bankare në emër të drejtorive Rajonale Tatimore, kërkohet çdo ditë të sigurohet dërgim elektronik i arkëtimeve të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore nga struktura përgjegjëse për tatimet, sipas klasifikimit ekonomik buxhetor.

Për pagesën e muajit të fundit të vitit, njësitë shpenzuese të qeverisjes së përgjithshme duhet të paraqesin së bashku me urdhër-shpenzimin e pagave edhe konfirmimin e nëpunësit autorizues dhe zbatues për mjaftueshmërinë e fondeve buxhetore për mbulimin e pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

Pagesa e sigurimeve shoqërore nga institucionet shtetërore u bë alarmante së fundmi kur tatimet publikuan një listë debitorësh me administrim publik që nuk paguanin.

63 institucione dhe ente publike, më së shumti bashki dhe 20 ndërmarrje ujësjellësi janë debitorë aktualisht për shkak se nuk kanë paguar detyrimet e sigurimeve shoqërore.

Të dhënat e tatimeve që datojnë deri në fund të vitit 2016 tregojnë detyrime në formën e sigurimeve të papaguara rreth 14 miliardë lekë borxhe.

Ekspertët e ISSH-së u bëjnë apel punonjësve që të kryejnë verifikime, teksa mijëra dosje pensioni po shqyrtohen në Gjykatën Administrative.

Sipas të dhënave zyrtare tashmë të publikuara nga Tatimet, 10.8 miliardë lekë nga totali i detyrimeve ose 77% totalit është krijuar nga viti 2014-2016, teksa shihet se 3.2 miliardë lekë janë të mbaruara para vitit 2013. Siç shihet nga të dhënat, borxhi ndaj arkës së sigurimeve është rritur me ritme më të shpejta vitet e fundit. Vetëm më 2016 u akumuluan 4.6 miliardë lekë detyrime ose 32% e krejt totalit.

Burimet nga tatimet pohuan se një pjesë e madhe e këtyre detyrimeve u përkasin enteve publike dhe pushtetit lokal, pasi për bizneset private janë marrë masa shtrënguese. Nëse bizneset nuk paguajnë në kohë detyrimet për punonjësit, llogaritë bankare të tyre paguhen. Për institucionet shtetërore, puna ndryshon.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne