Institucioni i fetvasë dhe muftiu (I)

(Rëndësia e kuptimit të drejtë të ripërtëritjes së mendimit islam dhe qasja e re që duhet të kemi ndaj institucioneve bazë të Islamit)

Nuk ka dyshim se fetvaja është njëri prej institucioneve më të rëndësishme në të drejtën islame. Ajo përfaqëson zgjidhjen praktike ndaj çështjeve, pyetjeve dhe nevojave të myslimanëve. Është niveli më i lartë intelektual i vetëdijes profesionale juridike islame. Fetvaja është mendimi autoritar dhe profesional i një muftiu. Atë mund ta ushtron vetëm personi i autorizuar dhe me kompetenca profesionale dhe ligjore. Në të kundërtën, fetvaja është e paqëndrueshme dhe jovalide.

Shkruan: Dr. Mustafa Bajrami

Bota në të cilën po jetojmë është bërë e vështirë për tu kuptuar dhe më e vështirë për tu pranuar. Në çdo cep të saj njerëzimi po ballafaqohet me rreziqe të mëdha. Sado që njeriu ka ecur përpara në zbulimin e saj, ai e ka humbur betejën dhe është venitur në botën që vet është duke e ndërtuar. Edhe myslimanët, sikur shumë të tjerë e kanë humbur pusullën e jetës. Ata si asnjëherë më parë po ndjejnë nevojën dhe janë të obliguar që në mënyrë efikase të rishqyrtojnë mundësitë e daljes nga situata në të cilën kanë rënë. Ata janë të thirrur të rivendosin rregulla adekuate rreth shumë segmenteve të jetës së tyre. Sidomos myslimanët kanë nevojë për një qasje e re. Duhet një ndërhyje e formatit të ftesës së Muhamedi a.s. i cili kishte rekomanduar që një çdo 100 vjet të bëhen ripërtërirje dhe rimëkëmbje të rregullave dhe mësimeve të Islamit. Duhet reformë. Duhen ndryshime në qasje dhe pastrim i mësimeve islame të cilat nëpër kohë të ndryshme i mbulon pluhuri i injorancës. Ndër të parët që ka që nevojë për këtë lloj “operacioni”, që duhet t’i përgjigjet ftesës së profetit të njerëzimit është pikërisht institucioni i fetvasë.

Në botën islame institucionet fetare janë vënë në gjumë dhe fare pak preokupohen me gjendjen e besimtarëve të tyre. Njëjtë kështu e nëse jo më keq, janë edhe institucionet fetare islame shqiptare. Myslimanët në botë dhe shqiptarët në trojet e tyre kanë nevojë të shqyrtojnë seriozisht metodat e studimit dhe të hulumtimit të burimeve bazë të mendimit islam. Dhe jo vetëm të Islamit. Fetvaja, ky institucion kaq i rëndësishëm i Islamit është nëpërkëmbur sikur shumica e institucioneve të tij. Fetvatë e paautorizuara dhe të pakontrolluara kanë marrë dhenë. Ato janë bërë shkaktare të rrezikut që i ka kapluar myslimanët. Ato janë bërë rrezik edhe për shqiptarët. Fetvatë e pakontrolluara dhe të paautorizuara shumë herë kanë ditë të jenë nxitëse të vrasjeve të pakuptimta të mijëra njerëzve. Të tilla vazhdojnë të jenë edhe sot. Ato janë bërë shkaktare edhe e shkatërrimit të qyteteve e fshatrave të tëra. Çuditërisht, fetvatë e gabueshme u treguan të suksesshme në misionin e tyre. Ato u bënë bashkëpjesëmarrëse në gjendjen kaotike që është krijuar gjithkund nëpër shoqëritë myslimane.

S’do mend se bota myslimane për një kohë të gjatë është duke u përballur me sëmurjen e injorancës fetare. Brigada të tëra njerëzisht janë lëshuar pas dhënies së fetvave. Pas atyrebrigadave janë rreshtuar njerëz të padijshëm dhe injorantë të rrezikshëm. Këta njerëz po mashtrojnë vetveten dhe të tjerët duke menduar se me leximin e vetëm disa artikujve në internet bëhen dijetarë. Disa nga ata qëllimshëm po promovojnë prijetarëtë rrejshëm dhe mashtrues të rrezikshëm. Ka edhe nga të tjerët të cilët për nevoja të ulëta po përhapin opinione të dëmshme. Të padijshmit janë bërë shumicë nëpër shoqëritë myslimane. Ata që dinë, kanë mbetur pak dhe ashtu të pakët ose janë strukur vetë nëpër margjinat e jetës e ose i kanë strukur me dhunë. Edhe më të pakët kanë mbetur ata që do të duhej të merrnin guximin të ballafaqohen me gjendjen e trishtë që e ka kapluar njerëzimin. E, më tragjikja është se janë tretur thuajse fare ata që me guxim do të duhej t’i rrinin në ballë zullumqarëve, udhëheqësve mashtrues dhe atyre që po ndrydhin fjalën e mençur dhe të lirë.

Kështu, prapambeturia e madhe e popujve myslimanë si dhe akumulimi i kontradiktave dhe problemeve të shumta të cilat po prisnin zgjidhjen e nevojshme ka ndihmuar dhe ka përshpejtuar depërtimin e mendimeve të huaja dhe të dëmshme për myslimanët. Masat e gjera që ishin në presionin e problemeve të shumta, kohë pas kohe u detyruan të pranojnë zgjidhje të rejaprej ngado që të vinin. Të zhgënjyera nga mungesa e zgjidhjeve islame dhe të mbetura në një vakuum total kulturorë, fetarë e shpirtërorë, shoqëritë myslimane për një kohë të gjatë vendnumëruan. U krijua atmosferë steriliteti, ngufatje, fjetje dhe e jetës parazite. Në këtë kohë, natyrisht, në mungesë të frymës kreative, u paraqitën transmetime paushalle, fetva të gabueshme e sidomos imitime të verbëta. Në këtë kohë, të padijshmit i zunë pozitat udhëheqëse. Është kjo kohë kur edhe termet më të rëndësishme të Kur’anit u keqinterpretuan. “Besimi”, “islami”, “durimi”, “tevekuli”, “ixhtihadi”, “kadaja”, “kaderi”, “zuhdi” , e shumë terminologji tjera që janë bazë e dinamikës së mendimit islam fituan kuptime të gabueshme.

Është koha për tu ndryshuar gjendja. Është koha për të lëvizur dhe për t’i mbështetur mendjendriturit, qëllimmirët dhe ata që po kërkojnë ndryshime. Përballja me injorantët dhe me zullumqarët është bërë farz-i-ajn, nëse deri më dje ishte vetëm farz-i-kifaje. E di se ndryshimi nuk është punë e lehtë që mund të bëhet. Ama, jam mase i sigurt se ka nevojë për ndryshime.

Në botën muslimane sot duhet të bëhet ripërtëritja e qëndrueshme e shkencës së fikhut. Duhet të bëhet gjithashtu një rishqyrtim i mençur i fetvave të deritanishme. Edhe në rrafshin kombëtar ka nevojë për një qasje të re kuptimit dhe peshës së fesë. Ka ardhur koha për një kuptim adekuat të fesë dhe për një ri-interpretim të domosdoshëm i fesë islame.. Natyrisht, kjo nuk nënkupton se mësimet islame janë vjetruar dhe u ka dalë moda, prandaj duhet t’i ripërtërijmë dhe duhet t’i adaptojmë. Përkundrazi, fenë duhet shtjelluar dhe shpjeguar në mënyrën më të mirë të mundshme.

Të jemi të qartë. Kur jemi duke folur për nevojën e ri-interpretimit të mendimit islam, duhet të përmendim edhe faktin tjetër të hidhur sa ka pasur dhe ka ende tendenca qëllimkëqija ta shpallin Islamin për fe e cila nuk mund t’i përshtatet kohës sonë, e cila nuk është e aftë të merret me dinamikat e kësaj kohe dhe se duhet bërë ndryshime në brendësinë e mendimit të saj. Këtë mund ta thonë vetëm injorantët që se kuptojnë Islamin dhe armiqtë e Islamit që s’ia donë të mirën atij. Kjo tendencë zë fill me kolonializmin e toka myslimane dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite. Prandaj themi se promovimi i idesë së vjetërsimit të islamit buron nga ato dy kategori, jo nga njerëzit që e njohin dhe që e donë Islamin.

Është mase e domosdoshme që fetvaja dhe institucionet tjera relevante të fesë islame sot të reflektojnë frymën e ndihmesës nëperceptimin e drejtë të Islamit. Fetvaja duhet të pasqyrojë aftësinë dhe qëndrimin konsekuent të Islamit ndaj dinamikave të kohës. Ky qëndrim konsekuent është ajo që quhet “vasatija”, mesi i artë që e kërkon Islami. Është koha që edhe bashkësitë islame shqiptare t’i themelojnë dhe t’i vënë në jetë zyrat adekuate për fetva. Një gjë të tillë duhet ta bëjë sidomos Bashkësia Islame e Kosovës. Ajo nuk guxon të jetë indiferente ndaj këtyre kërkesave të kohës. Ajo duhet që urgjentisht të themelojë Departamentin e Fetvasë, të përcjellë trendet e kohësdhe posa të themelohet ai departament, të fillojë kooperimin me zyrat dhe departamentet e fetvave të shteteve tjera myslimane në botë. Duhet të nënshkruaj memorandume me institute arsimore fetare jo vetëm myslimane, por edhe të feve tjera.

Është koha kur bota islame po ndjenë thellë mungesën dhe nevojën e themelimit edhe të një institucioni (arsimorë) të përbashkët ku do të mësohej mënyra më efikase dhe më e drejtë e nxjerrjes dhe dhënies së fetvave. Të fetvave që përkojnë me kohën dhe dinamikat e së tanishmes.

Me përgjegjësinë më të madhe konstatoj se mungesa e institucionit të fetvasë pranë Bashkësisë Islame të Kosovës është njëra prej arsyeve kryesore e shtrembërimit eventual të Islamit tek ne, e paraqitjes së divergjencave të dëmshme mes nesh dhe edhënies së mundësisë që shumëkush në krye në vete të lëshojë fetva të gabueshme dhe të dëmshme. Këtë nuk do të duhej ta kishte lejuar Bashkësia Islame e Kosovës, dhe, meqë e ka lejuar, ajo duhet ta përmirësoj këtë gabim kaq të rrezikshëm. Është koha e fundit që departamenti i për fetva të jetë pjesë e Bashkësisë Islame të Kosovës, sikur edhe disa departamente tjera që i mungojnë dhe që do të duhej ishin krijuar shumë kohë më parë./ kosovapost

(Vazhdon nesër: Çka është fetvaja, cilat janë dispozitat islame rreth fetvasë dhe kush mund të jetë mufti).

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne