Integriteti territorial i Sirisë, mesazhi kryesor i samitit në Soçi

Mesazhi më i fuqishëm i përbashkët i vendeve garantuese në Samitin Trepalësh, që u realizua të mërkurën pasdite në Soçi me pjesëmarrjen e liderëve të Turqisë, Rusisë dhe Iranit, ishte ruajtja e integritetit territorial të Sirisë.

Në samit u dhanë mesazhe duke nënvizuar zgjidhjen politike dhe integritetin territorial (të Sirisë).

Në deklaratën e përbashkët, tre vendet garantuese (të armëpushimit në Siri) njoftuan se do të vazhdojnë të bashkërendojnë përpjekjet e tyre për të mbrojtur suksesin e arritur deri tani në drejtim të reduktimit të dhunës në Siri.

Në deklaratë doli në pah theksi i liderëve të të tre vendeve për ti qëndruar besnik një angazhimi të fortë lidhur me pavarësinë, unitetin dhe tërësinë territoriale të Sirisë, ndërkohë u rikonfirmua edhe çështja që këto parime nuk do të cenoheshin nga nismat politike.

Vendet garantuese gjithashtu theksuan nevojën për masa të ndërtimit të besimit me qëllim për të përshpejtuar përpjekjet në drejtim të zgjidhjes politike (të krizës) në Siri, ku dhuna në një masë të madhe është marrë nën kontroll. Masat në fjalë janë renditur kështu: shpejtësi, siguri dhe vijueshmëri në dërgimin dhe shpërndarjen e ndihmave humanitare, lirimi i të burgosurve, rikthimi i kufomave dhe identifikimi i personave të zhdukur.

Në deklaratën e përbashkët është mbështetur edhe Kongresi i Dialogut Kombëtar, i cili parashikohet të organizohet nga regjimi i Beshar Esadit dhe opozitarët.

Për grupet opozitare që kërkojnë të marrin pjesë në këtë Kongres është përdorur një përkufizim i tillë “opozitë që respekton sovranitetin, pavarësinë, unitetin, tërësinë territoriale dhe karakterin e pandashëm të Sirisë”, duke pasqyruar kështu qëndrimin e vendosur të Turqisë në lidhje me organizatën terroriste PKK/PYD.

Grupet e opozitës që do të ftohen në kongres do të përcaktohen me vendimin e përbashkët të të tre vendeve garantuese (Turqi, Rusi, Iran).

Presidenti Erdoan theksoi se prioritet i Ankarasë vazhdon të mbetet përjashtimi nga procesi i elementeve terroriste që cenojnë unitetin politik dhe integritetin territorial të Sirisë dhe sigurinë kombëtare të Turqisë.

Duke aluduar për organizatën terroriste PKK/PYD Erdoani dha mesazhin se Turqia nuk do të marrë pjesë në një platformë, ku parashikohet që zgjidhjes politike ti shërbejë edhe një grup që përpiqet ta copëtojë Sirinë.

Duke iu referuar bisedimeve të Gjenevës, që zhvillohen nën drejtimin e Kombeve të Bashkuara (OKB), Erdoani vendosi një lidhje midis Kongresit të Dialogut Kombëtar dhe kontributit që mund t’u japë ky kongres bisedimeve të Gjenevës.

Në fjalën e tij Erdoani u ndal edhe në kushtet që duhen plotësuar për të pasur sukses. Krahas qëndrimit të regjimit dhe opozitës,- u shpreh Erdoan, një rol kritik do të luajë edhe vazhdimi i “mirëkuptimit për respektuar reciprokisht çështjet e ndjeshme dhe arritur konsensusin” nga ana e të tre vendeve garantuese./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne