Interesi jetik i aleancës strategjike të Shqipërisë dhe të shqiptarëve me Turqinë

Turqia është një aleat i nevojshëm dhe i natyrshëm i faktorit shqiptar në rajon në ekuilibrat e forcës dhe në përballimin e sfidave gjeopolitike të së ardhmes. Ajo është një nga anëtaret më të rëndësishëm të NATO-s, është shtet kandidat i BE-së që ka hapur bisedimet e pranimit në BE dhe është shteti më i fuqishëm ballkanik, si në planin ekonomik e diplomatik, ashtu dhe në planin ushtarak.

Shkruan: Shaban MURATI, Tiranë

Marrëdhëniet e Shqipërisë dhe të Kosovës me Turqinë janë bërë një temë e preferuar debatesh në disa qarqe politike, mediatike, akademike dhe të shoqërisë civile në hapësirat shqiptare, duke krijuar një fokus artificial vëmendjeje, që nuk u përgjigjet realiteteve të marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë dhe të shqiptarëve në rajon. Është një fokus, i nxitur nga interesa jashtëshqiptare dhe ku janë angazhuar profanë të politikës së jashtme dhe të gjeopolitikës, të cilët i ngatërrojnë ligjet, specifikat dhe marrëdhëniet e sistemit ndërkombëtar të shteteve me prirjet dhe përfitimet e tyre personale ose grupore. Është një fokus absurd, ku në mënyrën më alogjike deformohet interesi kombëtar dhe jetik mbarëshqiptar dhe ku me një mentalitet donkishotesk tentohet t’i imponohet shoqërisë shqiptare të mendojë në shekullin e 21-të me mendjen e shekullit të 19-të. Nuk janë të rastësishme disa përpjekje të grupuara dhe të organizuara në gjithë hapësirat shqiptare për të prishur marrëdhëniet e sotme të nevojshme të miqësisë dhe të aleancës strategjike të Shqipërisë, të Kosovës dhe të kombit shqiptar me Turqinë.

Dy janë grupet politike dhe mediatike, që prej disa vitesh po kërkojnë të devijojnë interesin strategjik të Shqipërisë, të Kosovës dhe të shqiptarëve për marrëdhëniet e miqësisë dhe të aleancës strategjike me Turqinë. Grupi i parë është i atyre qarqeve dhe individëve të sponsorizuar nga institucionet e specializuara të shteteve, si Serbia dhe Greqia, të cilat kanë interesa strategjike të mbajnë të izoluar, të dobësuar dhe pa miq si Shqipërinë e Kosovën, ashtu dhe krejt faktorin shqiptar në Ballkan. Grupi i dytë është ai i individëve nga pakicat fetare dhe etnike në hapësirat shqiptare, të cilët – duke keqpërdorur shenjat fetare të preferuara për organizatat europiane si BE, ku Shqipëria dhe Kosova aspirojnë të anëtarësohen – atakojnë aleancën strategjike të të dyja shteteve shqiptare me Turqinë mbi baza fetare, duke synuar të përfitojnë shkallë pushteti mbi shumicën dërrmuese të popullsisë në Shqipëri, në Kosovë, në popullin shqiptar të Maqedonisë etj. Nga pikëpamja diplomatike, gjeopolitike dhe gjeostrategjike, aleanca strategjike e Shqipërisë me Turqinë këshillohet nga marrëdhëniet dypalëshe midis dy shteteve dhe nga roli jetik që këto marrëdhënie luajnë për ekuilibrat strategjikë të Shqipërisë në rajonin tonë. Konsiderata themelore, që duhet mbajtur parasysh, është se aleanca strategjike dypalëshe është marrëdhënie ndërkombëtare. Karakteri dhe interesi i aleancës strategjike nuk lidhet me format e regjimeve politike në një periudhë të caktuar në të dyja vendet dhe as me emrat e përveçëm, që drejtojnë qeveritë dhe shtetet. Është një konstruksion i politikës së jashtme dhe marrëdhënie e interesit strategjik afatgjatë, pavarësisht kontributit që jep njeri ose tjetri personalitet në periudha të caktuara historike në dobi të forcimit të marrëdhënieve dypalëshe. Nuk lidhet as me oscilacionet e marrëdhënieve të njërit ose tjetrit shtet me palë të treta. Nuk lidhet, po ashtu, as me pikëpamje dhe emocione momentale, fetare, krahinore, kulturore, politike, ideologjike etj. të jetës së brendshme dhe, për më tepër, nuk mund të shihet nga këndi i luftës së brendshme politike. Pozicioni, roli, zhvillimi, ekzistenca dhe sigurimi i pavarësisë së shtetit dhe i kombit shqiptar në rajon janë një ndërvartësi kushtesh, faktorësh, rivalitetesh, ku loja strategjike nuk përballohet vetëm dhe ku rreziqet ekzistenciale të së tashmes për kombin prevalojnë mbi subjektivizmin e keqpërdorimeve të historisë. Përcaktimi i Turqisë si aleat strategjik i Shqipërisë ka qenë një zgjidhje e drejtë strategjike e politikës së jashtme në vitin 2013, sepse vendosi një ekuilibër të nevojshëm në dobi të pozicionit dhe të rolit të Shqipërisë në rajon. Janë disa elemente, që i krijojnë Turqisë një profil më të favorshëm, në krahasim me shtetet e tjera të Ballkanit kontinental, në përcaktimin si aleat strategjik i Shqipërisë në politikën e jashtme dhe në veprimin tonë rajonal: – Turqia është shteti më i madh ballkanik, pjesë e historisë dhe e gjeografisë ballkanike dhe si faktor rajonal ka një rol, të cilin asnjë shtet tjetër ballkanik nuk mund ta zëvendësojë. – Turqia është një aleat i nevojshëm dhe i natyrshëm i faktorit shqiptar në rajon në ekuilibrat e forcës dhe në përballimin e sfidave gjeopolitike të së ardhmes. – Turqia është një nga anëtaret më të rëndësishëm të NATO-s, është shtet kandidat i BE-së që ka hapur bisedimet e pranimit në BE dhe është shteti më i fuqishëm ballkanik, si në planin ekonomik e diplomatik, ashtu dhe në planin ushtarak. – Turqia është anëtare themeluese e të gjitha organizatave të rajonit tonë, që kanë të bëjnë me marrëdhëniet ndërballkanike dhe, si e tillë, është një zë i fuqishëm rajonal, përkrahja e të cilit përbën një nga faktorët më të rëndësishëm diplomatikë të rajonit. – Kombi shqiptar, në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni e kudo, nuk mund të harrojë se Turqia nuk ka asnjë centimetër tokë shqiptare në kufijtë e saj, nuk pretendon dhe nuk do të vijë të pretendojë asnjë centimetër tokë shqiptare. Janë shtete të tjera ato, që kanë dhjetëra mijëra kilometra tokë shqiptare dhe të cilat nuk mjaftohen me atë që na grabitën në 1913-tën, por edhe sot e kësaj dite rivendikojnë prapë territore shqiptare. – Turqia nuk rivendikon dhe as nuk ka ambicie territoriale ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial tokësor, detar dhe ajror të Shqipërisë. – Turqia ka njohur dhe ka pranuar zyrtarisht dhe plotësisht kufijtë shtetërorë, tokësorë, detarë dhe ajrorë të Shqipërisë. – Turqia ka demonstruar mbështetje të jashtëzakonshme për Shqipërinë si shtet dhe për integritetin e saj territorial në periudhën më të vështirë shtetërore të Shqipërisë, në vitin e mbrapshtë 1997, kur shkatërrimi i shtetit dhe i gjithë kufijve tanë nxiti në disa qarqe recidiviste ballkanike mendimin se po ringjallet rasti i akaparimit të ri të territoreve të tjera shqiptare si në 1913. Konteksti rajonal i aleancës strategjike Shqipëri-Turqi kushtëzohet nga dy rrethana të reja të rëndësishme strategjike dhe gjeopolitike, të cilat nuk i gjen dot në marrëdhëniet e Shqipërisë me shtetet e tjera të rajonit.

Janë dy rrethana të reja strategjike, të cilat u përkasin zhvillimeve të shekullit 21 dhe që kristalizojnë natyrshmërinë dhe rëndësinë e aleancës strategjike midis dy shteteve. 1 – Rrethana e parë gjeopolitike dhe strategjike është transformimi i faktorit shqiptar në rajon në faktor ballkanik pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe pavarësimit të Kosovës si shtet. Dalja e dy shteteve shqiptare në skenë i dha faktorit shqiptar në rajon një dimension dhe një peshë, që nuk kishte qenë më parë në raportet gjeopolitike dhe në marrëdhëniet ndërballkanike. Kjo rrethanë u konsiderua e pafavorshme nga shtetet e rajonit, të cilat duhet të llogarisnin tani faktorin e ri rajonal me emrin “dy shtete shqiptare”. Vetëm Turqia është shteti i rajonit, që e përshëndeti dhe mbështeti fuqimisht transformimin e faktorit shqiptar në një faktor ballkanik. Vetëm Turqia e konsideroi zhvillim pozitiv dhe e përkrahu fort faktorin e ri rajonal të të dyja shteteve shqiptare. Turqia është e para që e njohu Kosovën si shtet të pavarur dhe që e mbështeti fuqimisht njohjen e saj në arenën ndërkombëtare, duke lobuar energjikisht për Kosovën në OKB, në OSBE, në Këshillin e Europës, në organizatat rajonale e ndërkombëtare, në organizatën e bashkëpunimit islamik etj. Rëndësia e këtij elementi strategjik në raportet me faktorin shqiptar në rajon dhe në raport me kombin shqiptar, kuptohet më mirë po të mbahet parasysh se shtetet e rajonit, si Greqia, Serbia dhe Rumania, vazhdojnë edhe sot e kësaj dite të mos e njohin Kosovën dhe ky është një qëndrim strategjik jomiqësor i tyre ndaj dy shteteve shqiptare dhe ndaj kombit shqiptar. 2 – Rrethana e dytë strategjike dhe gjeopolitike është fenomeni i ri negativ rajonal i kompozimeve të reja të grupimeve ose  të aleancave shtetërore të veçuara në shekullin e 21, me krijimin dhe rikrijimin e grupeve të ngushta aleancash midis dy, tri apo katër shteteve ballkanike. Ky proces, që vjen si reminishencë e fenomenit të grupimeve armiqësore ndaj çështjes shqiptare në periudhën e luftërave ballkanike, bëhet akoma me antihistorik kur kemi parasysh se po ndodhë në kohën kur shtetet e Ballkanit janë anëtarë ose aspirojnë të bëhen anëtare të BE-së dhe të NATO-s. Nëpërmjet samiteve të kryetarëve të shteteve dhe të qeverive shohim të krijohet “grupi Krajovës” me Serbinë, Rumaninë dhe Bullgarinë. Shohim, po ashtu, të jetë krijuar grupi i “Traktatit të Bukureshtit” me katër shtete: Serbinë, Greqinë, Rumaninë dhe Bullgarinë. Gjithashtu shohim të jetë krijuar grupi i tri shteteve: Bullgari, Rumani, Greqi. Kemi edhe grupin vertikal të tri shteteve: Serbi, Maqedoni, Greqi, ndërsa mund ta përmendim gjithashtu dhe projektin e diplomacisë ruse për të krijuar një aleancë të shteteve ortodokse, si Serbia, e ashtuquajtura “serpska republika”, Maqedonia, Mali i Zi, Greqia dhe Bullgaria. Kjo tendencë duhet konsideruar kundërvënie ndaj procesit të integrimit euroatlantik dhe perëndimor të Ballkanit. Kjo kundërvënie separatiste duhet konsideruar si rrethanë dhe perspektivë jomiqësore ndaj Shqipërisë dhe ndaj kombit shqiptar. Veçori dhe emërues i përbashkët i gjithë këtyre grupeve e grupimeve të veçuara ballkanike rreth e rrotull nesh është fakti se të gjitha ato e kanë përjashtuar Shqipërinë dhe nuk e kanë thirrur të bëjë pjesë në asnjë grup, megjithëse Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe disa shtete të këtyre grupeve e grupimeve janë gjithashtu anëtarë të NATO-s. Veçori tjetër e përbashkët, jorastësore, është se të gjitha grupimet e mësipërme janë krijuar vetëm me shtete ortodokse. Është një zhvillim negativ në rajon, të cilin shteti, diplomacia dhe strategjia shqiptare nuk mund të mos e marrin në konsideratë në kompleksin e faktorëve të sigurisë dhe të perspektivës.

Në këto kushte, në mënyrë të natyrshme, Shqipërisë i lind nevoja e një kundërbalancimi strategjik ndaj këtij fenomeni jopozitiv rajonal. Arsyetimi gjeopolitik dhe rezonanca e interesit strategjik çojnë tek logjika e aleancës strategjike me Turqinë, një shtet anëtar i NATO-s. Turqia është shteti ballkanik, që ka mbështetur si asnjë shtet tjetër ballkanik edhe Shqipërinë, edhe Kosovën. Në planin rajonal, një diplomaci largpamëse shqiptare duhet të punojë për ndërtimin dhe për forcimin e një lidhjeje të veçantë Shqipëri-Kosovë-Turqi. Përpjekjet e shteteve ballkanike për ndryshimin e raporteve të forcës në Ballkan në dëm të faktorit shqiptar dhe intrigat e nëndheshme diplomatike e strategjike ndaj kombit shqiptar, nuk kanë reshtur në Ballkan nga ballkanasit, megjithëse jetojmë në erën e integrimit euroatlantik. Nuk është rastësi që, pas daljes së faktorit shqiptar në Ballkan me një forcë të re me dy shtete shqiptare dhe transformimit të tij në një faktor ballkanik, disa shtete të rajonit kanë ndërmarrë fushata të vazhdueshme dhe të gjithanshme për ta izoluar faktorin shqiptar dhe, sidomos, për ta penguar atë që të krijojë raporte strategjike me Turqinë. Këto shtete jomiqësore i tremben zhvillimit të pritshëm, që aleanca strategjike me Turqinë e forcon Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët në rajon. Sidomos pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe pas pavarësimit të Kosovës dhe deri në ditët tona, kur faktori shqiptar është kristalizuar si faktor ballkanik në formën e dy shteteve shqiptare, konstatohet një lëvizje intensive dhe një strategji e qartë e qendrave antishqiptare rajonale për organizimin e një diversioni diplomatik, politik, mediatik, akademik etj., për t’i lënë Shqipërinë dhe shqiptarët pa miq.

Dinamika e veprimtarisë së sponsorizuar rajonale dhe jashtërajonale për izolimin apo për vetmizimin diplomatik e strategjik të Shqipërisë i evidenton dy fenomene: së pari, ringjalljen e një antiamerikanizmi në jetën politike shqiptare dhe në disa forca politike shqiptare, me qëllimin e çarjes së aleancës së Shqipërisë me SHBA-të, aleati ynë strategjik global numër një; dhe, së dyti, ringjalljen e një vale turkofobie dhe përpjekjeje për të krijuar bllokadë për marrëdhëniet e veçanta midis dy shteteve shqiptare dhe Turqisë. Shtetet e rajonit, që nuk e kanë dashur dhe nuk e duan realizimin e çështjes kombëtare shqiptare, në strategjinë e tyre diplomatike dhe gjeopolitike rajonale kanë objektivin që Shqipëria të mbetet e vetmuar në rajon, me qëllim që ato ta kenë më lehtë për të ushtruar presion dhe për ta mbajtur Shqipërinë si shtet raja. Një nga kurthet diplomatike dhe mediatike më të përdorura nga shtetet ballkanike, jomiqësore ndaj çështjes shqiptare, është ajo me ngjyrim fetar. Ka një intrigë diplomatike ballkanike, e cila kërkon që përbërjen dhe raportet fetare t’i paraqesë në frymën e një mode rajonale dhe ndërkombëtare dhe ta devijojë shtetin dhe diplomacinë tonë nga rruga e interesit të vet jetik. Shenja e njëjtë fetare, që Turqia ka me shumicën e popullsisë në Shqipëri dhe me shumicën dërrmuese të popullit shqiptar në Kosovë dhe në Maqedoni, është një kapital diplomatik me vlerë të veçantë pozitive për marrëdhëniet dypalëshe dhe për strategjinë rajonale afatgjatë të Shqipërisë. Por, ka një tendencë negative në disa shtete të rajonit tonë, e cila përpiqet të ngrijë ose të pakësojë marrëdhëniet midis shteteve të rajonit ose marrëdhëniet e Turqisë me shtetet e rajonit për shkak të realitetit të dominimit të besimit islam në këtë shtet. Në një farë mënyre, strategjia e konkurrencës politike, diplomatike, ekonomike dhe gjeopolitike, preferon të luajë në skakierën ballkanike me etiketat fetare, për të realizuar objektiva që janë jashtëfetare dhe përtejfetare. Në një farë kuptimi, keqpërdorimi diplomatik i fesë, shpallja e një hierarkie absurde fesh ose trajtimi i besimit fetar si një modë diplomatike, ka marrë një impuls të veçante në skenën dhe në prapaskenën diplomatike ndërkombëtare të fillimit të shekullit 21.

Nga përvoja e marrëdhënieve të Shqipërisë dhe të Kosovës me Turqinë, konstatohet një tendencë dhe një strategji e disa shteteve të rajonit për të përdorur anatemimin fetar antiislamik në funksion të objektivit të pengimit të marrëdhënieve të forta të Turqisë me Shqipërinë dhe me Kosovën. Përvoja e diplomacisë shqiptare në rajon është përballur me këtë intrigë. Shenja e njëjtë fetare, që Turqia ka me shumicën e popullsisë në Shqipëri dhe me shumicën dërrmuese të popullit shqiptar në Kosovë dhe në Maqedoni, është një kapital diplomatik me vlerë të veçantë pozitive për marrëdhëniet dypalëshe dhe për strategjinë rajonale afatgjatë të Shqipërisë, të Kosovës dhe të faktorit shqiptar në Ballkan. Në Shqipëri mbi 70 për qind e popullsisë është e besimit islam, në Kosovë besimi islam shtrihet në 97 për qind të popullsisë shqiptare, ndërsa në Maqedoni 99 përqind e popullsisë shqiptare është e besimit islam. Është e natyrshme që shenja e njëjtë fetare, si pjesë e konstitucionit shpirtëror të kombit dhe e të dyja shteteve shqiptare, të shërbejë si një katalizator i fuqishëm për ndërtimin e një raporti specifik midis Turqisë, nga një anë, dhe e Shqipërisë e Kosovës, nga ana tjetër. Në bazë të kompleksit të lidhjeve të ngushta historike dhe aktuale, si dhe të specifikave rajonale, Shqipëria e ka përkufizuar Turqinë si aleat strategjik të saj në Ballkan. Në këtë kuadër interesash shqiptare edhe Kosova e shikon Turqinë si një aleat strategjik.

Këto rrethana historike dhe aktuale shtrojnë si domosdoshmëri mbështetjen më të madhe të aleancës strategjike dypalëshe edhe mbi bazën e shfrytëzimit të elementeve të përbashkët të trashëgimisë kulturore. Nëse me dy shtetet shqiptare dhe me kombin shqiptar këto elemente kulturore janë më të shumta, kjo përbën një bazë shumë të fortë për konsolidimin e marrëdhënieve strategjike të dy shteteve shqiptare me Turqinë. Aleanca strategjike e Shqipërisë dhe e Kosovës me Turqinë po evidentohet gjithnjë e më tepër si e nevojshme edhe nga zhvillimet e reja dhe të paparashikueshme në arenën ndërkombëtare, të cilat mund të sjellin reperkusione të papëlqyeshme për dy shtetet shqiptare dhe për kombin shqiptar. Është fjala për riformatimet, që po konturohen në horizontin e rendit botëror, për tronditjet e reja tektonike në partneritetin transatlantik dhe në raportet brenda Aleancës Atlantike ose në marrëdhëniet e reja të shteteve të mëdha europiane me Rusinë, me Kinën, etj. Nuk mund dhe nuk duhet të ndjekin dhe as duhet të lidhen marrëdhëniet strategjike të Shqipërisë, të Kosovës dhe të faktorit shqiptar me Turqinë me kurbën e ulje-ngritjeve të marrëdhënieve të Turqisë me palë të treta. Dinamika dhe prirjet e marrëdhënieve ndërkombëtare të shteteve në rajon, të karakterizuara nga interferenca dhe ambicie për influencë nga të katër anët, e bëjnë akoma më të këshillueshme mbajtjen dhe forcimin e vijës gjeopolitike të aleancës strategjike të shqiptarëve me Turqinë.

Shqipëria, Kosova dhe kombi shqiptar i kanë të rralla shtetet e miqësive afatgjata në Ballkan. Fati historik e deshi që interesat tona kombëtare të përputhen me strategjinë e interesave dhe të vlerave që mbrojnë SHBA dhe Aleanca Atlantike. Këto janë miqësi dhe aleanca, që duhen ruajtur me fanatizëm dhe nuk duhet lejuar asnjë përpjekje, qoftë në nivel shtetëror, qoftë në nivel politik, qoftë në nivel mediatik ose të të quajturës shoqëri civile, që t’i dëmtojnë. Nuk mund të bësh kurrë miq të rinj në arenën ndërkombëtare, duke shndërruar në armiq miqtë që ke. Kjo përbën vlerën themelore të miqësisë dhe të aleancës së Shqipërisë dhe të Kosovës me Turqinë në kontekstin rajonal. Aleanca strategjike me Turqinë është një interes jetik i politikës rajonale, i strategjisë rajonale dhe i ekuilibrave rajonalë të Shqipërisë dhe Kosovës. Turqia është aleati strategjik më optimal i Shqipërisë, i Kosovës dhe i shqiptarëve në Ballkanin kontinental./ shenja

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne