Shqiperia

“Intriga dhe thika pas shpine”, Veliaj: Një minorancë brenda nesh kundërshton gjithçka

Tirana ka kujtuar sot 75-vjetorin e çlirimit, si dhe ka nderuar të gjithë ata që kontribuuan dhe sakrifikuar edhe jetën e tyre në një nga përballjet më të ashpra kundër pushtuesve nazifashist. Gjatë fjalës së tij kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj theksoi se ky jubile i çlirimit, e gjen Tiranën një qytet shumë herë më të mirë dhe të zhvilluar.


“Nderojnë dhe respektojnë si kurrë më parë, pas një treçerek shekulli memorien e të gjitha faktet, e të gjitha kontributet për të mos harruar, dhe për të treguar që një popull që kujton nga ka ardhur di ekzaktësisht se ku po shkon. Sot jam mirënjohës për të gjithë ata që na kanë nderuar dhe mezi pres që ne ta kthejmë në Tiranë, por edhe në gjithë Shqipërinë, këtë 75 vjetor në një vit jubilar të paharruar për të kuptuar momentet historike dhe heroike të popullit tonë në Luftën e Dytë Botërore dhe në çlirimin si i vetmi popull dhe i vetmi kryeqytet që u çlirua vetë pa trupat sovjetike. Sot ne përkujtojmë së bashku tek monumenti ‘Ushtari Panjohur’ kauzën ekzistenciale të lirisë së kombit tonë”, – u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku tha se vendit tonë jo çdo e keqe i ka ardhur nga pushtuesit, duke theksuar se ashtu si atëherë edhe në ditët e sotme kundërshtojnë çdo projekt që kërkon të zhvillojë Tiranën dhe Shqipërinë. “Unë gjykoj se shumë nga problemet kyçe që kemi nuk na kanë ardhur nga pushtuesit, shpesh ka ardhur nga një minorancë brenda nesh që kundërshton gjithçka, kundërshton çdo progres, kundërshton çdo iniciativ. Sot shumë prej nesh do shikojnë inaugurimin e Statudimit Kombëtar. Edhe për të tilla gjera kemi beteja. Mbaj mend kryeministrin dhe lumin e sharjeve, baltës dhe të shpifjeve që duhet të duronte për idenë se si mund të kishim një stadium që në pamundësi të parave tona ne të kishim mundësi të përdornim edhe para nga sektori privat për të pasur sot një arenë kombëtare që na bën të gjithëve krenar. E përmend këtë për të kuptuar që shpesh punët e mira i pengojmë vet, sterkëmbëshat i bëjmë vet, thikat pas shpine i bëjmë vet, intrigat i prodhojmë vet, keq për Shqipërinë flasim vet, sabotimin e bëjnë një pjesë prej nesh”, – tha kryetari i bashkise.

Ndaj ai theksoi se ky 75 vjetor përveçse për të festuar duhet të shërbejë edhe për të reflektuar dhe për të kuptuar se kur shqiptarët bëhen bashkë ashtu si gjatë Luftës së Dytë Botërore mund të bëjnë gjera të mira për vendin. “Nëse ka një reflektim nga Lufta e Dytë Botërore është pikërisht ky, kur ne shqiptarët bëhemi bashkë nuk ka forcë që na vë poshtë dhe nuk ka betejë që ne nuk e fitojmë. Ne do të jemi proaktiv dhe bashkëpunues si një ushtar dhe partizan që nuk pyeste sa e madhe ishte beteja dhe sa i fortë kundërshtari por sa i rëndësishëm ishte misioni. Sot pyetja nuk është sa e vështirë është të integrohemi pyetja është nëse ky është një mision i rëndësishëm të gjithë duhet të jemi gati për të përfaqësuar shqiponjën dy krenare dhe flamurin kuq e zi për ta fituar këtë betejë. Vetëm së bashku siç mundëm nazifashistët në shekullin e kaluar mund ta ndërtojmë një qytet modern europian për 100 vitet e ardhshme”, deklaroi kryetari i Bashkisë së Tiranës./balkanweb

Etiketa

OPINIONE