Investigimi në Londër nxjerr zbuluar Ramën: Tony Blair paguhet nga Soros

Investigimi në ‘Daily Mail’ nxjerr zbuluar kryeministrin Edi Rama dhe marrëdhënien e tij të konsulencës me Tony Blair.

Privilegji i të qenurit një nga njerëzit më të pasur në botë, është se mund të blini gjërat më të shtrenjta, nga shtëpitë dhe makinat, te jahtet e avionët privatë dhe, mos harroni, politikanët.

Kështu ka ndodhur kur George Soros vendosi të ndihmojë presidentin e një vendi të varfër afrikano-perëndimor, që të çimentonte pushtetin e tij. Për këtë Soros pranoi të paguante shuma të mëdha parash për të siguruar asistencën e një këshilltari si Tony Blair.

Të dhënat financiare të dala nga organizata jo fitimprurëse e miliarderit ‘Fondacioni për Shoqëri të Hapur’, zbulojnë se në vitin 2012 u shpenzuan 601,753 dollarë për të rekrutuar Tony Blair-in dhe ndihmësit e tij, për të ndihmuar udhëheqësin e Guinesë ‘të menaxhonte dhe të ekzekutonte planet e tij ambicioze të reformave në mënyrë efektive’.

Paratë u paguan ndaj fondacionit personal të Tony Blair, ‘Iniciativa për Qeverisjen e Afrikës’.

Si shpërblim, Soros dhe ‘shoku i tij i ngushtë’, Alpha Conde, mori këshilla të vyera, duke përfshirë mënyrën se të bënin PR, pas përleshjeve të dhunshme gjatë së cilës forcat qeveritare vranë nëntë aktivistë të opozitës dhe plagosën qindra të tjerë.

Në një rast tjetër, Blair personalisht kontaktoi ish-Sekretaren e Shtetit, Hillary Clinton, duke i kërkuar ndihmë për të bindur Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), që të përshpejtonte masat për të lehtësuar borxhin kombëtar të Guinesë.

‘Fondacioni im po e ndihmon Presidentin e Guinesë me Fondacionin Soros’, i tha Blair, Clinton-it, në një email që u zbulua në shkurt të vitit 2012, duke shtuar se ‘ndihma financiare do të bënte një ndryshim të madh,duke qenë se presidenti ka zgjedhje në fillim të verës…çdo mbështetje do të ishte shumë mirëpritur!’

Zonja Clinton ia kaloi kërkesën e ‘shokut’ të Blair-it, tek zyrtarët e thesarit të SHBA-së dhe sugjeroi që Soros ta thërriste personalisht Sekretarin e Thesarit, Timothy Geithner, për të parë nëse kjo gjë mund të arrihej shpejt.

Disa muaj më vonë ndodh mrekullia, puna në grup dha frytet e saj. FMN i fali 2.1 miliardë dollarë borxhe Guinesë. Pak kohë më pas presidenti Conde u rizgjodh me sukses.

Duke paguar faturat e Blair, Soros, luajti një rol të rëndësishëm në mbështetjen e Conde përpara këtyre zgjedhjeve, duke krijuar takime mes tij dhe kompanive të huaja të energjisë. Herë pas here gjatë kësaj periudhe, Soros dukej sikur e mori përsipër të vepronte si një negociator pothuajse zyrtar për qeverinë e Guinesë.

Soros drejton kompaninë më të madhe të fushatave, nëpërmjet ‘Fondacionit për Shoqëri të Hapur, një organizatë grantesh me 1,600 punonjës dhe degë në 43 vende, e cila kërkon të ‘ndërtojë demokraci të gjalla dhe tolerante, qeveritë e të cilave janë të përgjegjshme dhe të hapura për pjesëmarrjen e të gjithë njerëzve’.

Marrëdhënia midis organizatave të tij dhe Brukselit u zbulua vitin e kaluar, me ‘rrjedhjen’ e një dokumenti prej 177 faqesh të përgatitur për ‘Shoqërinë e Hapur’. Dokumenti i titulluar ‘aleatë të besueshëm në Parlamentin Evropian’, përmbante një listë prej 226 deputetësh, të cilët mendonin se kishin ‘provuar ose kishin gjasa’ për të avancuar axhendën e organizatave të Sorosit.

Donacionet e tij në vitet e fundit për të ndihmuar kandidatët demokratë për presidentë të SHBA-së, Barack Obamës dhe Hillary Clinton, e kthyen atë në një personazh të urryer për konservatorët amerikanë.

 

Ish-kryeministri britanik, Tony Blair, ka qenë këshilltar i kryeministrit Rama që prej vitit 2013, kur ky i fundit fitoi mandatin e parë qeverisës. Rama në deklarimet e tij, ka mohuar se Blair do paguhej si këshilltar i tij, edhe pse ai paguhej shumë shtrenjtë për këshillat, kudo i jepte ato.

Shikoni çfarë deklaronte Rama asokohe, kur sapo kishte arritur marrëveshjen e konsulencës me Tony Blair: ‘Ka një ngutje të madhe, të kotë për të bërë krahasime mes Blair-it dhe Podesta-ve, që paguhen me paratë e shqiptarëve për të dezinformuar opinionin ndërkombëtar dhe për të zbukuruar imazhin e një qeverie të korruptuar deri në palcë. Të jeni të sigurt se vullneti i Blair-it për të ndihmuar Shqipërinë nuk ka çmim për të mirat që do sjellë. Ndërsa kontrata nuk do të rëndojë hiç fare mbi buxhetin e shtetit dhe të publikut.’ – deklaronte Rama asokohe.

Ai nuk e sqaroi më tej këtë fjali të fundit, por saktësoi se ‘deri tani kemi thjesht një marrëveshje ‘ende të pakonkretizuar me kontratë’ të bazuar në dëshirën e të dy palëve për të bashkëpunuar në të mirë të Shqipërisë’.

Ndërkaq ‘Omnia Strategy’ e Cherie Blair, kompania e bashkëshortes së Tony Blair, mendohet të ketë marrë gjithsej 645 mijë euro nga qeveria shqiptare që prej vitit 2013, në kohën kur Edi Rama ishte kryeministër, për të zgjidhur mosmarrëveshjet e qeverisë shqiptare me ‘Rapiscan’, që merrej me skanimin në pikat doganore.

Në maj 2013, gazeta britanike  ‘The Telegraph’  i kushtoi vëmendje bashkëpunimit të shpallur nga Edi Rama me ish-kryeministrin britanik, Toni Bler.

‘Telegraph’ zbuloi se marrëveshja me kryesocialistin ishte negociuar që në shkurt 2013, kur në Shqipëri ishte ish-drejtori i Komunikimit në qeverisjen e Blair, Alastair Campbell, për të promovuar librin e tij.

Sipas gazetës, një zëdhënës i PS-së, ka refuzuar të deklarojë se sa do të paguhet Tony Blair, edhe pse shifra, sipas ‘Telegraph’ ka të ngjarë të jetë disa milionë sterlina.

VINI RE: Ky shkrim është pronësi intelektuale e Daily Mail  /Hashtag.al

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne