Irak, pas çlirimit të Mosulit kthehen mbi 250 mijë civilë

Ministri irakian i Migracionit, Qassim al-Jaf, deklaroi se në qendër të qytetit të Mosulit janë kthyer 253.000 civilë, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri i Irakut, Haidar al Abadi, më 10 korrik të këtij viti shpalli Mosulin të çliruar nga terroristët e DEASH-it të cilin e kontrollonin nga vera e vitit 2014. Ky qytet vlente si bastioni kryesor i DEASH-it në Irak.

Ministri Jaf theksoi se në Mosul që nga fillimi i operacionit për çlirimin e këtij qyteti irakian dhe deri më tani janë kthyer 253.000 civilë.

Sipas tij, kanë punuar në atë që të heqin pengesat me qëllim që banorët të mund të kthehen në shtëpitë e tyre dhe kanë realizuar edhe disa aktivitete kur është fjala për rindërtimin e infrastrukturës. Më parë deklaroi se Mosulin e kanë braktisur 900.000 civilë.

Terroristët e DEASH-it në qershor të vitit 2014 pushtuan Mosulin, ndërsa udhëheqësi i grupit Abdu Bakar al Baghdadi në Xhaminë e Madhe, në qendër të Mosulit, shpalli themelimin e të ashtuquajturit “kalifati i DEASH-it.”

Pas tre muajsh operacione, forcat e bashkuara irakiane me mbështetje të koalicionit ndërkombëtar në janar të këtij viti çliruan pjesën lindore të Mosulit, ndërsa më 19 shkurt filluan aksionin e çlirimit të qendrës së qytetit , që gjendet në bregun perëndimor të lumit Tigër.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne