Iran – 646 persona të plagosur nga tërmeti i fuqisë 6,4 ballë që tronditi provincën Kermanshah

Nga tërmeti i fuqisë 6,4 ballë që tronditi provincën Kermanshah të Iranit janë plagosur 646 persona ndërsa janë shënuar edhe 148 lëkundje pasuese.

Sipas lajmit që përcjell televizioni shtetëror i Iranit të bazuar në deklaratat e bëra nga Universiteti i Shkencave Mjekësore të Kermanshahut, numri i të plagosurve në provincë arriti në 646 persona, ku 290 në Serpol Zehab, në Gilanigarb 170, Kasri Shirin 109, në Islamabadin Perëndimor 54 dhe 23 në rajonet tjera të provincës.

Në deklaratën e bërë nga Qendra Sizmologjike e Institutit Gjeofizik të Universitetit të Teheranit thuhet se pas tërmetit të fuqisë 6,4 ballë janë shënuar edhe 148 lëkundje pasuese në mesin e të cilave 7 ishin të fuqive mes 4 dhe 5,5 ballë.

Zëvendësprefekti i Kermanshahut, Mehrdad Salari bëri të ditur se asnjë shtëpi nuk u shembë plotësisht për shkak të tërmetit dhe kjo bëri që të mos ketë humbje në jetë. Për shkak të lëkundjeve pasuese dhe frikës qytetarët e këtyre rajoneve natën e kaluan në çadrat e siguruara nga Gjysmëhëna e Kuqe e Iranit.

Ndihmëspresidenti i parë i Iranit, Ishak Xhihangiri zhvilloi biseda telefonike me kreun e Agjencisë Iraniane për Menaxhimin e Krizave, Ismail Naxhar dhe Prefektin e provincës Kermanshah, Huseng Bazvend, të cilët i urdhëroi që të mobilizojnë të gjitha mjetet për të përmbushur nevojat e qytetarëve.

Sipas deklaratës së bërë nga Qendra Sizmologjike e Institutit Gjeofizik të Universitetit të Teheranit thuhet se epiqendra e tërmetit të fuqisë 6,4 ballë, i cili ra në orën 20.07 sipas orës lokale, ka qenë 7 km në thellësi të tokës në zonën rurale të rajonit Serpol Zehab./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne