Iran, protesta për shkak të vrasjes së Soleimani

Në Iran sot pas namazit xhumasë janë mbajtur protesta pas sulmit të mbrëmshëm amerikan në Bagdad, ku u vra komandanti i njësisë elitare iraniane Kuds, Qassem Soleimani.

Pas faljes së namazit të xhumasë në xhaminë Imam Khomeini Musalla, mijëra persona dolën në rrugët e Teheranit, duke shprehur pakënaqësinë për shkak të vrasjes së Soleimanit në Bagdad.

Gjatë protestave, të cilat njëkohësisht u organizuan edhe në shumë qytete tjera iraniane, mund të dëgjoheshin sloganet “E mallkuar është Amerika”, “I mallkuar është Izraeli”.

Në sulmin e mbrëmshëm në aeroportin e Bagdadit u vra komandanti Soleimani, i cili drejtonte njësinë elitare të Gardës Revolucionare të Iranit, ndërsa Departamenti i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara të Amerikës tha se sulmi u krye nga forcat amerikane nën direktivën e presidentit Donald Trump.

Prijësi fetar i Iranit Ayatollah Ali Khamnei paralajmëroi hakmarrje të ashpër për përgjegjësit e vrasjes së Soleimanit.

Khamnei emëroi sot Ismail Qaanin si komandantin e ri të njësisë elitë Kuds dhe shpalli tre ditë zie në Iran./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne