“Irani do të ketë qëndrim të fortë nëse SHBA nuk i rikthehet bisedimeve”

Presidenti i Iranit, Hassan Rouhani, tha se preferenca e vendit të tij do të jetë “një qëndrim dhe rezistencë e fortë” përsa kohë që SHBA-të nuk do të rikthehen në tryezën e bisedimeve, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një takim me profesorë të mjekësisë dhe mjekë në Universitetin e Teheranit, Rouhani duke folur lidhur për bisedimet me SHBA-të tha se “Kushtet sot janë më të vështira se kurrë më parë, por në rrethanat e sotme të veçanta, preferenca jonë është një qëndrim dhe rezistencë e fortë”.

“Nëse do të kishte një rrugë tjetër përveç rezistencës unë do ta kisha shpallur atë në mënyrë të qartë, por sot nuk kemi zgjidhje tjetër veçse një qëndrim të fortë”, tha Rouhani duke rikujtuar se SHBA-të kanë deklaruar se në vitet e fundit nuk kanë zbatuar ndonjëherë sanksione në këto përmasa kundër Iranit.

Pasi tërhoqi vëmendjen se SHBA-të kanë deklaruar fillimisht si “të papranueshëm” regjimin iranian dhe se regjimi duhet të formësohet sipas preferencës së popullit, Rouhani tha se “Armiku, ndonjëherë thekson se ka parakushte për bisedime dhe se Irani më parë duhet të pranojë këto për t’u ulur në tryezë, ndërsa më pas thekson se nuk ka asnjë parakusht për bisedime”.

Ai tha se SHBA-të duhet të kthehet në tryezën e bisedimeve dhe në kushtet normale që ka nëpërkëmbur. “Përsa kohë që edhe armiku nuk kthehet në tryezën e negociatave edhe ne nuk kemi alternativë tjetër përpos rezistencës dhe të qëndrojmë të palëkundur. Nëse armiku e kupton me të vërtetë se është e gabuar rruga që ka zgjedhur, atëherë ne do të ulemi në tryezën e bisedimeve dhe të zgjidhim të gjitha problemet”, tha Rouhani.

Sekretari i Shtetit i SHBA-ve, Mike Pompeo, gjatë vizitës së tij në Evropë në një konferencë për media me ministrin e Jashtëm zviceran Ignazio Cassis, i bëri thirrje Iranit që të përdorë burimet e veta për popullin e tij.

Pompeo tha se Irani burimet e tij i përdor për Hezbollahun dhe Sirinë në vend që t’i përdor për të siguruar nevojat e popullit të tij. Ai ka mbrojtur idenë se për shkak të aktiviteteve të Iranit në Siri janë zhvendosur 6 milionë njerëz.

Sekretari amerikan Pompeo në përgjigje të deklaratës së presidentit iranian se mund të bisedojnë nëse ulen në tryezë në kuadër të vendimeve dhe respektimeve ndërkombëtare, ka deklaruar se “SHBA-të janë të gatshme të zhvillojnë bisedime me Iranin pa parakushte, por se do të vazhdojnë të ushtrojnë presion mbi Iranin”./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne