Irani do të mbyllë Ngushticën e Hormuzit në rast të embargos ndaj tij

Komandanti i Gardës Revolucionare të Iranit, Ismail Kevseri, ka thënë se nuk do të lejojnë kalimin e anijeve cisternë të naftës nga Ngushtica e Hormuzit në qoftë se pengohet shitja e naftës së Iranit.

Faqja iraniane e internetit “entekhab”, citon komandantin Kevseri të ketë thënë që “në qoftë se pengohet eksporti i naftës iraniane, atëherë nuk do të lejojmë që nafta të kalojë në vende tjera të botës nëpërmjet Ngushticës së Hormuzit”.

Duke vënë në dukje se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe aleatët e saj janë dhënë pas interesave të tyre, Kevseri shtoi se “20 për qind e naftës botërore kalon nëpërmjet Ngushticës së Hormuzit. Bota ka nevojë për këtë naftë. Çdo qëndrim armiqësor do t’i kushtojë shumë shtrenjtë ShBA-së”.

Ndërkaq Presidenti i Iranit, Hassan Rouhani në prononcimin e tij të bërë gjatë kontakteve në Zvicër kishte thënë se ShBA-të duan ta ndalin plotësisht eksportin e naftës së Iranit.

“Ata nuk e kuptojnë domethënien e kësaj fjale, sepse udhëheqja e ShBA-së kishte thënë se ‘nuk do të lejojmë që Irani të eksportojë asnjë pikë naftë’. Kjo do të thotë se i tërë rajoni nuk do të mund të eksportojë naftën e tij. A është e mundur që rajoni të eksportojë naftë ndërkohë që Irani nuk eksporton? Në qoftë se bëni një gjë të tillë atëherë do të përballeni me pasoja”, kishte thënë Rouhani./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne