Irani i rikthehet aktiviteteve bërthamore

Irani, që gjendet nën embargon e Shteteve të Bashkuara të Amerikës do t’i kthehet një pjese të aktiviteteve bërthamore.

Televizioni shtetëror iranian bëri të ditur se udhëheqja e Teheranit njoftoi ambasadorët e Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Gjermanisë, Kinës dhe Rusisë se Irani do të fillojë përsëri aktivitetet bërthamore.

Presidenti i Iranit, Hasan Ruhani tha se nëse nuk mbrohen interesat e Iranit në marrëveshjen nërthamore, vendi i tij do të rrisë nivelin e uraniumit të pasuruar brenda 60 ditësh.

Ruhani u shpreh se “shembja” e marrëveshjes bërthamore krijon një kërcënim për Iranin dhe botën.

Edhe Ministri i Punëve të Jashtme të Iranit, Cevad Zarif në lidhje me tërheqjen e njëanshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga marrëveshja bërthamore, tha: “Irani ka parë si të përshtatshme, në interes të tij, që të mos përmbushë disa obligime të cilat i zbaton në mënyrë vullnetare në kuadër të marrëveshjes bërthamore”.

Në një prononcim të bërë për televizionin shtetëror të Iranit në Aeroportin Vnukovo të Moskës, ku shkoi për një vizitë zyrtare, Zarif tha se Bashkimi Evropian dhe shoqëria ndërkombëtare nuk kanë forcën për të dalë kundër presioneve të Amerikës.

“Për këtë arsye Irani nuk do të përmbushë disa obligime që i zbaton në mënyrë vullnetare dhe të cilat bien ndesh me interesat e vendit” tha Zarif.

Shefi i diplomacisë së Iranit rikujtoi se në kuadër të pikave 26 dhe 36 të marrëveshjes bërthamore Iranit i njihet kjo e drejtë.

Marrëveshja e nënshkruar me Iranin në vitin 2015 parashikonte heqjen e sanksioneve ekonomike në këmbim të reduktimit të programit bërthamor të Iranit.

Udhëheqja e Uashingtonit anuloi në mënyrë të njëanshme në maj të vitit 2018 marrëveshjen bërthamore të nënshkruar ndërmjet Iranit dhe vendeve të përhershme të Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara (Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Anglia, Franca, Rusia, Kina) dhe Gjermanisë.

Udhëheqja e Teheranit kishte kërkuar nga vendet e Evropës pas tërheqjes së Amerikës, që të hidhnin hapa të vendosura për vazhdimin e marrëveshjes dhe shprehet se nëse nuk sigurohen interesat e Iranit, vendi nuk do të qëndrojë në marrëveshje./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne