Bota

Irani i sugjeron Rusisë dhe Kinës kundërpërgjigje të përbashkët masave armiqësore të SHBA-së

Në Strategjinë e fundit të Mbrojtjes Kombëtare, Pentagoni i përcaktoi si “revizionistë” vendet si Rusia dhe Kina, ndërsa Iranin si kërcënim të Shteteve të Bashkuara.

Gjatë një konference dy-ditore të sigurisë në Soçi, Ali Shamkhani, sekretari i Këshillit të Lartë i Sigurisë Kombëtare të Iranit, u takua me ministrin kinez të Sigurisë Publike Guo Shengkun për të diskutuar perspektivat e miratimit të një strategjie të përbashkët për Teheranin, Moskën dhe Pekinin si dhe për të kundërshtuar masat armiqësore të Uashingtonit.”

“Shtetet e Bashkuara e kanë vënë Rusinë, Kinën dhe Iranin në listën e kërcënimeve për sigurinë e saj kombëtare dhe po zbaton sanksione ndaj tre vendeve. Prandaj, miratimi i një strategjie të përbashkët për të kundërshtuar përpjekjet gjithëpërfshirëse të Uashingtonit për të dëmtuar këto vende është i nevojshëm”, tha Shamkhani, citon agjencia iraniane e lajmeve Tasnim.

Shamkhani trajtoi edhe çështjen e terrorizmit, e cila ka kërcënuar paqen dhe stabilitetin ndërkombëtar, duke theksuar se SHBA-ja dhe aleatët e saj po përpiqen të mbrojnë terroristët në Siri nën pretekstin e përdorimit të supozuar të armëve kimike nga forcat qeveritare siriane në qytetin e Doumës.

Më 14 prill, Shtetet e Bashkuara së bashku me Francën dhe Mbretërinë e Bashkuar hodhën mbi 100 raketa nëpër objektiva të shumta në Siri si hakmarrje për incidentin e dyshuar kimik në Douma.

Vendet muslimane duhet të qëndrojnë të bashkuar

Gjithashtu të enjten, udhëheqësi suprem i Iranit Ajatollah Ali Khamenei u bëri thirrje vendeve muslimane të bashkohen kundër Shteteve të Bashkuara.

“Kombi iranian i ka rezistuar me sukses orvatjeve ngacmuese të Amerikës dhe fuqive të tjera arrogante dhe ne do të vazhdojmë tu rezistojmë … Të gjitha vendet muslimane duhet të qëndrojnë të bashkuar kundër Amerikës dhe armiqve të tjerë”, tha ai.

Vërejtjet e Khameneit erdhën menjëherë pasi Presidenti Donald Trump tha se disa vende në Lindjen e Mesme “nuk mund të mbijetojnë as edhe një javë” pa mbrojtjen e SHBA-së.

Tensionet midis Teheranit dhe Uashingtonit janë rritur pasi Presidenti Trump po tenton të prishë marrëveshjen e bërthamore me Iranin, nënshkruar nga grupi P5 plus 1 – Kina, Gjermania, Rusia, Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA. Trump e ka kritikuar vazhdimisht marrëveshjen bërthamore duke e quajtur atë si marrëveshjen më të keqe të të gjitha kohërave dhe ka kërcënuar të tërhiqet në mënyrë të njëanshme nëse marrëveshja nuk ndryshohet.

Ndërkohë, nënshkruesit e tjerë të marrëveshjes vazhdimisht kanë përsëritur angazhimin e tyre ndaj marrëveshjes, duke i bërë thirrje SHBA-së që të respektojë dispozitat e marrëveshjes dhe duke këmbëngulur se ajo është e panegociueshme.

Presidenti francez Emmanuel Macron tha se marrëveshja nuk duhet të braktiset para se të ketë diçka që mund ta zëvendësojë atë, ndërsa zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov deklaroi se Rusia favorizon ruajtjen e JCPOA-s (marrëveshjes berthamore) “në formën e tanishme”, duke theksuar se Moska nuk sheh ndonjë alternativë tjetër ndaj saj.

Marrëveshja përparimtare përcakton heqjen graduale të sanksioneve kundër Teheranit në këmbim që Irani të ruajë natyrën paqësore të programit të tij bërthamor duke u zotuar qe të mos zhvillojë armë bërthamore./sputnik/Gazeta Impakt