Irani kërcënon Britaninë për konfiskimin e anijes së naftës në Gjibraltar

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Iranit, Mohammad Bagheri, tha se do t’i kundërpërgjigjen konfiskimit të anijes cisternë iraniane të naftës nga Britania e Madhe në Ngushticën e Gjibraltarit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç raporton agjencia iraniane e lajmeve Tasnim, mësohet se Bagheri në një fjalim gjatë një ceremonie në kryeqytetin e Iranit, Teheran, e ka cilësuar si “tentativë armiqësore” veprimin britanik në lidhje me konfiskimin e një tankeri iranian të naftës nga administrata autonome e Gjibraltarit e cila është pjesë e Britanisë.

Ai tha se do të luftojnë kundër të gjitha llojeve të iniciativave armiqësore.

“Nuk do të mbetet pa përgjigje konfiskimi i tankerit iranian të naftës. Përgjigjja ndaj këtij veprimi poshtërues do të jepet në një kohë dhe vend të përshtatshëm”, tha Bagheri.

Qeveria e administratës autonome të Gjibraltarit e cila është pjesë e Britanisë, të enjten konfiskoi një anije cisternë që i përkiste Iranit për të cilën pretendohet se po transportonte naftë të papërpunuar në Siri. Ndërkohë që Irani mbron idenë e tij se tankeri nuk po transportonte naftë për Sirinë./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne