Irani: Nëse rivendosen sanksionet amerikane mund të bllokojmë tranzitin e naftës nëpërmjet ngushticës së Hormuzit

SHBA është tërhequr nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 dhe tani po kërcënon se do të imponojë sanksione të reja në një përpjekje për të ndalur Iranin ekonomikisht duke i bllokuar eksportet e tij të naftës në botë

Irani mund ta mbyllë Ngushticën e Hormuzit për trafikun e naftës nga Gjiri Persik nëse Shtetet e Bashkuara i rinovojnë sanksionet kundër Republikës Islamike, raporton Reuters, duke cituar një komandant të Gardës Revolucionare të Iranit.

“Nëse ata duan të ndalojnë eksportet iraniane të naftës, ne nuk do të lejojmë që asnjë dërgesë e naftës të kalojë nëpër Ngushticën e Hormuzit,” tha Ismail Kowsari, zëvendëskomandanti i bazës ushtarake Sarallah.

Më herët, përfaqësuesi i Teheranit në OPEC Hussein Kazempur Ardebili paralajmëroi se përpjekjet e Uashingtonit për të bllokuar eksportet e naftës iraniane do të dëmtojnë qytetarët amerikanë të cilët do të paguajnë çmimin e politikës së Presidentit Trump.

Më 2 korrik, Brian Hook, drejtori i departamentit të shtetit për planifikimin e politikave riafirmoi qëllimin e administratës Trump për uljen e eksporteve të naftës iraniane në nivelin zero deri në nëntor.

Më 8 maj, Presidenti Donald Trump përmbushi një premtim të fushatës zgjedhore duke dalë nga marrëveshja bërthamore me Iranin, e cila impononte kufizime të rrepta për programin bërthamor të Teheranit në shkëmbim të lënies së sanksioneve ekonomike.

Presidenti Trump premtoi të rivendosë sanksionet kundër Teheranit si dhe të shtojë të reja.

Uashingtoni gjithashtu njoftoi botën se kompanitë që bëjnë biznes me Iranin duhet të mbyllin çdo marrëveshje me vendin ose ndryshe do të bëhen subjekt i sanksioneve.

Për të mbrojtur bizneset e saj, Bashkimi Evropian është zotuar se do të hakmerret dhe paralajmëron se do të riaktivizojë “rregulloret bllokuese” të krijuara fillimisht në vitin 1996 për të mbrojtur kompanitë evropiane që bënin biznes me Libinë dhe Kubën prej sanksioneve amerikane.

Taktika u tregua e efektshme në atë kohë duke detyruar Shtetet e Bashkuara qe të heqin dorë nga vendosja e sanksioneve./sputnik/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne