Irani njoftoi se ka rrëzuar një dron të ShBA-së

Irani njoftoi se ka rrëzuar një dron të Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në provincën Hurmuzgan në jug të vendit.

Në komunikatën e publikuar në faqen e internetit të Gardës Revolucionare thuhet se Forcat Ajrore-Hapësinore të Ushtrisë së Gardës Revolucionare kanë rrëzuar një dron të tipit “RQ-4 Global Hawk” të Forcave Ajrore të ShBA-së në bregdetin e qytetin Kuhmubarek të provincës Hurmuzgan në Gjirin e Omanit.

Komandanti i Përgjithshëm i Gardës Revolucionare, gjenerali Huseyin Selami bëri të ditur se rrëzimi i dronit të Forcave Ajrore të ShBA-së është një mesazh i qartë për armiqtë e vendit të tij.

Sipas lajmit që përcjell agjencia iraniane e lajmeve IRNA, gjenerali Selami tha se “Forcat Ajrore-Hapësinore të Ushtrisë së Gardës Revolucionare të enjten në mëngjes kanë rrëzuar një dron armiqësor, i cili bëri shkeljen e hapësirës ajrore duke kërcënuar sigurinë tonë kombëtare”.

Selami bëri të ditur se rrëzimi i dronit amerikan është një mesazh i qartë për të gjithë agresorët që kanë në objektiv territoret e Iranit, ndërsa shtoi se “Kufijtë tona janë ‘vija e kuqe’ për ne. Të gjithë ata që e kalojnë nuk do të kthehen dhe do të asgjësohen”.

Gjenerali Selami gjithashtu bëri të ditur se nuk kanë për qëllim të luftojnë kundër asnjë vendi, por shtoi se janë të gatshëm për luftë.

Droni i tipit “RQ-4 Global Hawk” i Forcave Ajrore të ShBA-së, që është një mjet fluturues pa pilot i zbulimit në lartësi të larta, është zhvilluar nga kompania “Northrop Grunman”. Ka aftësi të qëndrojë në ajër 24 orë, ndërsa vëzhgimet mund t’i kryen nga një lartësi 16 km./TRT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne