Irani thirrje për referendum në Palestinë

Irani ka bërë thirrje për një referendum në Palestinë në të cilin do të merrnin pjesë muslimanët, të krishterët dhe hebrenjtë, në mënyrë që populli palestinez të jetë në gjendje të vendosë për fatin e tij, transmeton Anadolu Agency (AA).

Përmes një deklarate me shkrim me rastin e 71-vjetorit të Nakbas (Katastrofës) në Palestinë, Ministria e Jashtme e Iranit tha se komuniteti ndërkombëtar me në krye Kombet e Bashkuara (OKB) kanë detyrim për sa i përket çlirimit të trojeve palestineze dhe Kudsit nga pushtimi izraelit, të drejtës së vetëvendosjes së popullit palestinez dhe themelimit të një qeverie të pavarur palestineze me kryeqytet Kudsin.

“Duhet të mundësohen të gjitha kushtet e nevojshme për organizimin e një referendumi në të cilin do të marrin pjesë të gjithë banorët lokalë, përfshirë muslimanët, të krishterët dhe hebrenjtë”, thuhet në deklaratë.

Ministria tha se në territoret palestineze nuk ka pasur paqe dhe stabilitet që nga 14 maji i vitit 1948, shpallja e shtetit izraelit, që palestinezët e përkujtojnë si “Nakba”.

“Në Ditën e Nakbas, në trojet palestineze të pushtuara lindi një entitet i paligjshëm i quajtur regjim cionist, i cili vazhdon ekzistencën e tij me luftra, vrasje dhe pushtim. Ky regjim, i cili është shkaktar i të gjitha krizave rajonale, sot është shndërruar në një kërcënim real për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Iranit./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne