Irani zotohet për “hakmarrje shkatërrimtare” për vrasjen e Soleimanit

Udhëheqja e lartë e Iranit të premten u zotua të reagojë fuqishëm për vrasjen e Qasem Soleimani, komandant i forcave elitare Kuds, në një sulm ajror amerikan në Irak.

“Nuk ka dyshim se kombi i madh i Iranit dhe kombet e tjera të lira të rajonit do të hakmerren për këtë krim të tmerrshëm të SHBA-së”, tha Presidenti Hassan Rouhani, raporton agjencia shtetërore e Iranit- IRNA. 

Vrasja e Soleimani ka dyfishuar vendosmërinë e popullit iranian që të qëndrojë përpara sulmeve të SHBA-së dhe të mbrojë vlerat islamike, shtoi ai. 

Raportet që vijnë nga rajoni të premten konfirmuan se Soleimani u vra në një sulm me dron amerikanë në Bagdad. 

Sulmi erdhi mes tensioneve të ngritura pasi mijëra protestues të mbështetur nga Irani sulmuan të martën kompleksin e ambasadës amerikane në Bagdad. 

Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, të premten gjithashtu u zotua të hakmerret për vrasjen e Soleimanit. “Një hakmarrje e hidhur po i pret kriminelët” tha Khamenei në një deklaratë. 

Po kështu, ministri i Mbrojtjes, Amir Hatami, paralajmëroi një “hakmarrje shkatërruese” ndaj sulmit amerikan. 

“Ata që e kanë udhëhequr aktin terrorist dhe ata që e kanë kryer atë, do të përballen me një përgjigje shkatërruese”, citohet të ketë thënë Hatami nga IRNA. 

Soleimani prej disa kohësh ishte komandant i Forcave Kuds, që ishte përfshirë në listën e grupeve terroriste nga SHBA-ja që nga viti 2007. Grupi vlerësohet të ketë 20.000 anëtarë. 

Menjëherë pas raportimit për vrasjen e udhëheqësit ushtarak, Trump postoi flamurin e SHBA-së në Twitter pa asnjë koment. 

Pentagoni akuzoi Soleimanin se po planifikonte të kryente sulme ndaj diplomatëve dhe stafit të SHBA-së në Irak dhe rajon, duke thënë se udhëheqësi i vrarë ishte përgjegjës për vdekjen e qindra anëtarëve të stafit amerikan dhe të koalicionit./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne