Isa Mustafa: LDK do të ketë gjashtë ministri dhe kryetarin e Kuvendit

Pas arritjes së marrëveshjes për bashkëqeverisjen me Vetëvendosjen, Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka mbledhur këshillin e Përgjithshëm të LDK-së.

Mustafa në fjalën e tij para anëtarëve të këshillit është shprehur se marrëveshja e arritur për bashkëqeverisje me Lëvizjen Vetëvendosje është bërë në harmoni të plotë me parimet e vendosura më herët për balancim të pushtetit.

Gjithashtu lideri i LDK-së ka arsyetuar edhe rritjen e ministrive duke thënë se mandati i kryeparlamentarit do t’iu takojë me mandat të plotë, kurse posti i presidentit do të diskutohet më vonë me liderin e LVV-së, Albin Kurti.

“Dymbëdhjetë ministri i kanë partnerët kryesor LVV dhe LDK nga gjashtë dhe nga një zëvendëskryeministër dhe tre ministrit e tjera shkojmë për komunitetet dhe ndarja e tyre mbahet në bazë të marrëveshjes së kandidatit për kryeministër me përfaqësuesit e komuniteteve. Nëse shtrohet pyetja se pse është bërë shtimi i numrit të ministrive, unë them se është bërë me propozimin e Kurtit. Ne e kemi vlerësuar në qëndrueshmëri për të mos humbur shumë kohë pas themelimit të Qeverisë që të merremi me organizimin e ministrive se kemi trashëguar 21 ministri edhe janë kthyer në 15. Bashkërisht kemi vlerësuar se do të ishte më problematike dhe do të paguanim më shumë në qoftë se i kemi 12 ministri në emër të kursimeve se sa që i kemi 15 ministri dhe të funksionojnë menjëherë”, tha ai

Ndërkohë Muastafa ndër të tjera ka theksuar faktin se tashmë posti i kryeparlamentarit do t’i takojë LDK-së në mandat të plotë katërvjeçar. Në fund Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së ka votuar pa asnjë votë kundër marrëveshjen VV-LDK./Tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne